Për vite me radhë, komentet për peshën dhe pamjen e jashtme e bënë Marinela Rizajn të ndihej keq me veten. Sot, ajo e ka kthyer atë përvojë në forcë, duke ndërtuar një rrugëtim në fitness dhe duke u bërë trajnere në Suedi. Por edhe pse ka ndryshuar fizikisht, paragjykimet nuk janë zhdukur. Nëse dikur i thoshin se duhej të dobësohej, sot dëgjon komente se muskujt e saj e bëjnë të duket “si burrë”.
Për Marinela Rizajn, kjo është dëshmia se shpesh problemi nuk qëndron te trupi ynë, por te mënyra se si shoqëria gjykon pamjen e të tjerëve. Askush nuk duhet të kalojë jetën duke u përpjekur të përmbushë standardet e imponuara nga të tjerët.
Rrugëtimi i saj në fitness nisi në Suedi, fillimisht me dëshirën për të ndryshuar dhe për t’u kujdesur më shumë për veten. Pa njohuritë e duhura për stërvitjen dhe funksionimin e trupit, ajo kuptoi se aktiviteti fizik kërkon më shumë sesa thjesht frekuentimin e palestrës: nevojitet një plan i përshtatur me nevojat individuale.
Me kalimin e kohës, fitnessi u kthye në një mënyrë për të njohur më mirë trupin dhe mundësitë e tij. Sot, Marinela është e specializuar në punën me gratë shtatzëna dhe ato pas lindjes, duke theksuar rëndësinë e lëvizjes, ushqyerjes dhe stërvitjes së përshtatur në këto periudha të veçanta.
Për të, qëllimi nuk është që një grua të rikthehet sa më shpejt te trupi që kishte para shtatzënisë, por të fitojë forcë, të rikuperohet gradualisht dhe të krijojë një marrëdhënie të shëndetshme me veten. Historia e Marinela Rizajt është një mesazh kundër bullizmit dhe një kujtesë se trupi ynë nuk ka pse të përmbushë pritshmëritë e të tjerëve për të merituar respekt./abcnews.al


