Pas zakoneve të lashta të malësisë së Veriut fshihen histori, rite dhe simbole që kanë përcjellë ndër breza identitetin shqiptar. Studiuesi Jaho Brahaj sjell në vëmendje tradita të rralla, nga “barra e vrâme” dhe vajtimi i dytë i nuses, te kumbaria, një lidhje e veçantë që bashkonte familjet katolike dhe myslimane. Çfarë kuptimi fshihej pas këtyre zakoneve dhe çfarë roli kishte kumbari në jetën e një familjeje?
Një tjetër ndalesë është lashtësia e shqiponjës dykrenare, simbolit të flamurit shqiptar, origjinën dhe përhapjen e të cilit Brahaj i ka studiuar përmes dëshmive arkeologjike, etnografike, stolive metalike dhe ornamenteve popullore. Hulumtimet e tij janë përmbledhur edhe në një libër të botuar disa herë.
Në këtë rrëfim, vëmendje i kushtohet edhe trashëgimisë kulturore shqiptare dhe sfidës së njohjes ndërkombëtare. Nga Vallja e Tropojës te xhubleta, cilat janë kriteret që duhet të plotësohen për përfshirjen në listat e UNESCO-s? Dhe sa e rëndësishme është ruajtja e këtyre traditave për brezat e ardhshëm?/abcnews.al


