Kalon për gjykim një pjesë e dosjes 339. Burime për ABC News kanë raportuar se ditën e sotme një pjesë e dosjes 339 ka kaluar tashmë për gjykim në Gjykatën e Posaçme. Ndërkohë po kjo gjykatë gjatë seancës paraprake ka vendosur të pushojë çështjen ndaj vëllait të Arben Ndokës. Ndërsa ndaj Arben Ndokës gjykata ka vendosur të rrëzojë akuzën e “Grup i strukturuar kriminal”.
Ish-deputeti i PS, Arben Ndoka paraditen e sotme është paraqitur në Gjykatën e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit për seancën paraprake, pasi u mor i pandehur dhe dosja u dërgua në gjykatë.
Ish-deputeti i Partisë Socialiste së bashku me 14 persona të tjerë u morën të pandehur në kuadër të dosjes 339/1, si të implikuar në skemën e tjetërsimit të pronave në zonën e “Rranës së Hedhun” në Lezhë.
Ndaj të pandehurve të kësaj dosje dy prokurorët e çështjes Vladimir Mara dhe Dritan Prençi kanë ngritur akuzën e “Falsifikimit të dokumenteve”, “Pastrimit të produkteve të veprës penale”, Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve”, “Shpërdorimi i tokës” dhe “Grup i strukturuar kriminal”.
Mes personave të marrë të pandehur për tjetërsimin e pronave në Lezhë është dhe vëllai i ish-deputetit Arben Ndoka.
Për këtë çështje prokuroria ka sekuestruar dhe 300 mijë m2 tokë në zonën e Ranës së Hedhun në plazhin e Shëngjinit.
Arben Ndoka, u ndalua në pasditën e 21 tetorit të vitit 2018, së bashku me të vëllanë, Xhevahir Ndoka. Ndërkohë në mars 2018, Policia e Lezhës hetoi një grup tjetër kriminal që ishte i lidhur me abuzimet e tokave në zonën e Shëngjinit dhe ndaloi 12 persona, mes tyre edhe ish-kryetarin e Bashkisë Lezhë të PD-së, Fran Frrokaj./abcnews.al