Kryeministri Edi Rama i ka cilësuar protestat e dhunshme si të orkestruara nga elementë të brendshëm dhe të jashtëm, me synim destabilizimin e Shqipërisë.
Gjatë një takimi me drejtuesit e sistemit bankar në vend, Rama deklaroi se protestat krijuan trysni të madhe te qytetarët dhe paralizuan Tiranën, duke nxitur frikën për një përshkallëzim të dhunës.
Ai përmendi lëvizjen Antifa, kriminalitetin dhe krimin e organizuar si disa prej komponentëve që, sipas tij, lidhen me zhvillimet e fundit. Kryeministri pretendoi gjithashtu se pas këtyre akteve qëndrojnë forca të huaja të interesuara për destabilizimin e vendit.
“Është e shumë e rëndësishme që ta bënim këtë takim me ju, pas një histerie dhune, që krijoi një trysni shumë të madhe me njerëzit, dhe mbi të gjitha që mori peng Tiranën, duke krijuar idenë e një përshkallëzimi, që mund të merrte përpara me flakë dhe me gurë gjithë Shqipërinë.
Kjo është një dhunë e orkestruar e lidhur me elementë të brendshëm dhe të jashtëm. Është një dhunë e lidhur me atë se çfarë ndodh në qytete të tjera të Europës. Një lëvizje që quhet Antifa. Ky është vetëm njëri nga komponentët e dhunës.
Vajzat e djemtë që ulërasin e bëjnë thirrje si në kohën e Mesjetës, për të syrgjynosur këto që sipas tyre përfaqësojnë të keqen. Nga ana tjetër është edhe kriminaliteti, që mblidhet me krimin e organizuar dhe komponentë të tjerë politikë. Prodhohet dita-ditës nga forca të huaja që kanë interes për të destabilizuar Shqipërinë”, tha Rama.


