Paska qenë java e tij. Më në fund, Moska e kuptoi se kush është Mirlind Daku, një shqiptar me mision në Rusi, ashtu si dikur kënga e Stingut, “një anglez në Nju Jork”.
Sulmuesi i kombëtares shqiptare, jo aq i pëlqyer nga ultrasit e skuadrës së tij, ishte sërish heroi i madh i Spartakut, madje këtë herë në një ndeshje tepër të veçantë në Premier Ligë.
Përballë ishte ish-ekipi I tij, Rubin, në të cilin ishte ylli kryesor dhe idhulli i publikut. Futbollisti nga Kosova nuk e nisi titullar në sfidën që përfundoi 4-2, nuk e ka ende atë luks dhe status tek të kuqtë.
Gjithsesi, i mjaftuan vetëm 26 minuta për të treguar veten e për të shënuar dy gola në minutat 65 e 90. “Sofaskor” i dha vlerësimin 8.5 dhe ai nuk u shpall lojtari I ndeshjes vetëm sepse nuk pati minuta.
Në aq pak kohë pati dy gola e katër gjuajtje, duke goditur dy herë në rrjetë, e duke humbur një rast të mirë. Pas ndeshjes, duke folur për kamerën e klubit, Daku deklaroi se nuk është i lumtur për golat e shënuar ndaj ish-ekipit të tij.
“Nuk mund të ketë festë dhe kënaqësi kur I shënon Rubinit, ishin fjalët e tij.
Vetëm pak ditë më parë, në 15 tetor, ai shënoi dy gola në sfidën e Kupës së Rusisë, që Spartaku e fitoi në stadiumin e Rodinës, në një derbi të vogël të Moskës.
Edhe pse ka luajtur vetëm gjysmën e kohës për të kuqtë, sërish Daku po kalon një sezon vërtet shumë të mirë.
Në 13 ndeshje në Premier Ligë dhe në Kupë, në vetëm 647 minuta, ai ka shënuar 7 gola e shërbyer 2 asistë, nga të cilët shumicën për Spartakun dhe vetëm dy kur ishte tek Rubini.


