Policia e Kurbinit ka finalizuar operacionin e koduar “Blindi”, në kuadër të të cilit janë arrestuar dy persona, të moshave 35 dhe 31 vjeç, banues në Laç.
Sipas njoftimit të Policisë, 35-vjeçari u kap duke drejtuar një automjet luksoz të blinduar, tip “BMW”, pavarësisht se ndaj tij ishte caktuar masa e sigurisë “Arrest në shtëpi” nga Gjykata e Apelit Tiranë, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Në pranga përfundoi edhe 31-vjeçari, i cili udhëtonte si pasagjer në automjet. Gjatë kontrollit fizik, atij iu gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike e llojit Cannabis Sativa.
Ndërkohë, gjatë kontrollit në banesën e tij, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan një jelek antiplumb dhe një armë të ftohtë, konkretisht një shpatë.
Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti i blinduar, lënda e dyshuar narkotike, sendet e kundërligjshme dhe tre telefona celularë. Sipas Policisë, automjeti dyshohet se është përfituar nga të ardhura me burime të dyshimta.
Operacioni u zhvillua nga specialistët e Seksionit për Hetimin e Narkotikëve, në bashkëpunim me strukturat e tjera të Policisë, Forcën e Posaçme “Shqiponja” dhe Komisariatin e Policisë Kurbin.


