Deri tani po e përballojnë për bukuri. Futbollistët e Egnatias ia dolën që të mbanin hapin e Teutës në Superligën shqiptare, vetëm tri ditë pas ndeshjes tepër të lodhshme në Ligën e Konferencës.
Edhe pse pa përvojë për një ngarkesë të tillë të dyfishtë dhe europiane, sërish kampionët e vendit fituan 3-1 ndaj Vllaznisë, një javë pasi ia kishin dalë 2-0 në fushën e Laçit.
Në një përballje të vështirë ndaj një ekipi shkodran me moral pas tripikëshit me Dinamon, të besuarit e trajnerit Nevil Dede siguruan një epërsi të merituar 2-0 me golat nga Albaneze me penallti që në 9’, dhe sulmuesi tjetër I huaj, Agjesa në 41’.
Shkodranët reaguan pas pushimit dhe ishin shumë më kërkues. Kjo solli ngushtimin e diferencës pas gati një ore lojë, dhe suksesi rrogozhinas padyshim që u vu në diskutim.
Perez dërgoi topin në rrjetë për miqtë, që patën edhe ndonjë mundësi tjetër, por pa forcën e duhur dhe pa fat. Për më tepër, Dede hodhi në fushë menjëherë tre lojtarë të freskët si Fernando, kapiteni Aleksi dhe Lukili, që ishin titullar në Ligën e Konferencës ndaj Mitjilandit të enjten.
Pikërisht pranë fundit, në 86’, lezhjani Ildi Gruda, ish-lojtar I Vllaznisë, shënoi golin e sigurisë për 3-1. Mesfushori nuk festoi duke u kërkuar falje tifozëve shkodranë.
Egnatia është në vendin e dytë në renditjen e Superligës me 18 pikë pas 7 javësh, ndaj 19 të Teutës, ndërsa ekipi më I vjetër në Shqipëri është i parafundit me vetëm 5 pikë./abcnews.al


