Policia e Shtetit ka dhënë versionin e saj lidhur me incidentin pranë selisë së Partisë Demokratike. Sipas uniformave blu, një grup personash të maskuar, pasi hodhën molotovë drejt efektivëve, u strehuan në ambientet e jashtme të selisë së PD-së për t’i shpëtuar arrestimit, nga ku vijuan sulmin ndaj policisë.
Në reagimin e saj, Policia sqaron se efektivët përdorën gaz lotsjellës për t’iu kundërpërgjigjur sulmit, ndërsa i ka cilësuar pretendimet e tjera për zhvillimin e ndërhyrjes si “të pavërteta, të qëllimshme dhe dashakeqe”.
REAGIM I POLICISË SË SHTETIT
Nga patrullimet në terren për ruajtjen e rendit dhe sigurisë, sqarojmë se:
Shërbimet e Policisë janë sulmuar me molotovë nga një grup personash të dhunshëm dhe të maskuar, të cilët, për t’i shpëtuar ndjekjes dhe kapjes nga ana e Policisë, u futën në ambientet e jashtme të selisë së subjektit politik Partia Demokratike dhe vijuan sulmin ndaj punonjësve të Policisë.
Shërbimet e Policisë iu përgjigjën sulmit me molotovë nga ana e protestuesve të dhunshëm me gaz lotsjellës.
Të gjitha pretendimet e tjera janë të pavërteta, të qëllimshme dhe dashakeqe, me qëllim fshehjen e së vërtetës.


