Pas katër vitesh spekulimesh, rrjedhjesh informacioni dhe deklaratash nga burime anonime, çështja e shpërthimeve në gazsjellësit Nord Stream po shkon drejt një faze vendimtare, me dëshmi publike nën betim në një gjykatë gjermane.
Prokurorët gjermanë kanë identifikuar shtatë shtetas ukrainas si të dyshuar për sabotimin e shtatorit 2022, por vetëm njëri prej tyre, Serhii Kuznetsov, do të përballet me gjyqin. Ai dyshohet se ka bashkëpunuar në kryerjen e një krimi lufte.
Prokuroria gjermane pretendon se të dyshuarit kanë vepruar në emër të autoriteteve shtetërore ukrainase. Kjo deklaratë ka shtuar tensionet, ndërsa Kievi ka mohuar vazhdimisht çdo përfshirje në sulm.
Shpërthimet e shtatorit 2022 dëmtuan rëndë infrastrukturën energjetike që transportonte gazin rus drejt Gjermanisë. Gazsjellësit Nord Stream, në pronësi kryesisht të kompanisë shtetërore ruse Gazprom dhe të financuar pjesërisht nga kompani të mëdha evropiane, mbetën jashtë funksionit.
Fillimisht, disa qeveri perëndimore drejtuan gishtin nga Rusia. Megjithatë, hetimet gjermane u përqendruan te dyshimet se një grup zhytësish ukrainas kishte marrë me qira një jaht dhe kishte vendosur eksplozivë në shtratin e detit. Sipas prokurorisë, Kuznetsov dyshohet se kishte rolin e organizatorit kryesor.
Ndërkohë, një tjetër i dyshuar, i identifikuar si Volodymyr Zhuravlyov, ndodhet në paraburgim në Kroaci dhe kundërshton ekstradimin. Ai ishte arrestuar më parë në Poloni, por u lirua pasi një gjykatë polake vlerësoi se, nëse Ukraina ishte përgjegjëse për sulmin, veprimi mund të konsiderohej i drejtë.
Gjatë procesit gjyqësor, prokuroria duhet të paraqesë prova për ekzistencën e një komploti dhe të sqarojë shtrirjen e tij, përfshirë përgjegjësitë e personave të përfshirë. Gjykata e Lartë Rajonale e Hamburgut ka planifikuar dy seanca në javë, të paktën deri në MUAJIN shkurt, pa caktuar ende një datë për përfundimin e gjyqit./abcnews.al


