Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka dënuar sulmet me dronë ndaj dy anijeve tregtare në brigjet bullgare të Detit të Zi, duke kërkuar që përgjegjësit të mbahen përgjegjës.
Përmes një reagimi në platformën X, von der Leyen theksoi se Deti i Zi po kthehet në një tjetër front të përshkallëzimit të luftës së Rusisë në Ukrainë.
“Deti i Zi është bërë një tjetër front për përshkallëzimin e luftës së Rusisë në Ukrainë. Kjo është e papranueshme”, shkroi ajo.
Kreu i Komisionit Evropian shtoi se personat përgjegjës për sulmet duhet të mbajnë përgjegjësi për veprimet e tyre.
Sulmet ndaj anijeve tregtare në Detin e Zi rikthejnë në vëmendje rreziqet për sigurinë detare në rajon, i cili është ndikuar ndjeshëm nga lufta në Ukrainë.
Ngjarja është raportuar në brigjet bullgare, ndërsa reagimi i von der Leyen vjen në një kohë kur siguria e lundrimit dhe mbrojtja e transportit tregtar në Detin e Zi mbeten çështje me rëndësi për Evropën.


