Një grabitje nën kërcënimin e armës së zjarrit është raportuar në orët e para të mëngjesit në lagjen “5 Maji” në Elbasan.
Disa persona të paidentifikuar kanë hyrë në banesën e një shtetasi dhe kanë marrë katër telefona celularë dhe një shumë parash. Autorët janë larguar me shpejtësi pas mbërritjes së Policisë, duke braktisur dy automjete.
Sipas informacionit paraprak të Policisë, ngjarja është njoftuar rreth orës 04:05 të mëngjesit nga shtetasi L. Z.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë mbërritur në vendngjarje. Sapo kanë konstatuar praninë e uniformave blu, personat e dyshuar janë larguar në drejtim të një zone kodrinore, duke përfituar nga errësira.
Gjatë veprimeve të kryera në vijim, Policia ka gjetur dhe sekuestruar dy automjete, të dyshuara se janë përdorur gjatë grabitjes. Gjithashtu, janë sekuestruar veshje të ngjashme me uniformat e Policisë, si dhe prova të tjera që pritet t’i shërbejnë hetimit.
Ndërkohë, vijon ndjekja për kapjen e personave të dyshuar, identifikimin e tyre dhe zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Grupi hetimor po punon për dokumentimin e plotë të rastit dhe mbledhjen e provave që do të ndihmojnë në identifikimin e autorëve.


