Sondazh

Vendimi i Hagës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Masakër mjedisore në Lushnjë/ Tonelata peshq të ngordhur pas tharjes së rezervuarit

schedule22:22 - 9 Tetor, 2026

schedule 22:22 - 9 Tetor, 2026

“Kemi ardhur në Kasharaj të Lushnjës, aty ku ajo që po shohim është një prej situatave më të rënda mjedisore të krijuara pas ndërhyrjes në këtë rezervuar. Mijëra peshq kanë ngordhur pas zbrazjes së ujëmbledhësit, e cila u krye në kuadër të punimeve për rehabilitimin e digës dhe shkarkuesit. Sot, këtu nuk shohim më rezervuarin siç ka qenë, por një basen të boshatisur, peshq të ngordhur dhe një operacion që vijon për pastrimin dhe normalizimin e situatës”

“Pa ujë nuk ka jetë”, shprehja merr një tjetër kuptim në këtë sipërfaqe të boshatisur.

Aty ku deri pak ditë më parë kishte ujë dhe mijëra peshq, sot shihen vetëm baltë, peshq të ngordhur dhe një aromë e rëndë, e shkaktuar nga dekompozimi i tyre.



Banorë të zonës, të cilët folën për ABC News pas kamerave, shprehen se ky është rasti i parë që një ngordhje masive e tillë peshqish ndodh në këtë zonë.

Dhe ajo që e bën edhe më të rëndë situatën është fakti se kjo nuk lidhet me një fenomen natyror. Ngordhja masive e peshqve erdhi pas zbrazjes së rezervuarit, në kuadër të punimeve për rehabilitimin e digës dhe shkarkuesit.

Por a mund të ishte shmangur kjo situatë?

Inxhinieri hidroteknik i Bordit të Kullimit Fier, Ferdinand Dervishi, thotë se ndërhyrja në rezervuar nuk mund të kryhej pa zbrazjen e tij.

“Ky është rezervuar i kategorisë së parë, me rrezikshmëri të lartë, 3 porta sigurie. Në momentin që vjen pika e vdekjes, që mbushet kulla e marrjes së ujit, kjo vepër duhet të ngrihet që rezervuari të funksionojë. Me ndërhyrjen, do të arrihet mbilartësimi. E vetmja mënyrë është shkarkimi i rezervuarit. Ndërhyrja është e domosdoshme, ndryshe do të shkaktonte katastrofë në qytetin e Lushnjës. Nuk ka mënyrë tjetër për hapjen e portave të ujit”.

Pra, zbrazja e rezervuarit ishte pjesë e ndërhyrjes së parashikuar për rehabilitimin e veprës. Por pasojat e saj janë tashmë të dukshme.

Tonelata peshqish të ngordhur kanë mbetur në baltë dhe në brigjet e rezervuarit, duke detyruar angazhimin e forcave të ushtrisë, Bashkisë së Lushnjës dhe strukturave të tjera për pastrimin e zonës. Situatën në terren e kanë parë nga afër edhe drejtues të institucioneve, mes tyre ministri i Mbrojtjes, Ermal Nufi, ministrja e Bujqësisë, Andisa Salla, dhe kryetarja e Bashkisë së Lushnjës.

“Ka ndodhur që është zbrazur rezervuari dhe kanë ngordhur peshqit, po punojmë për zhbllokimin e kanalit kullues…”

Ministri i Bujqësisë, Andis Salla, përgjegjësinë për problematikën e peshqve të ngordhur i’a atribuoi Bashkisë së Lushnjës. ABC News tentoi të marrë një reagim nga Bashkia, por deri në përgatitjen e këtij materiali nuk mori përgjigje.

“Bashkia e Lushnjës ka bërë investimin për argjinaturën që ka pasur nevojë prej vitesh, duke bërë të mundur heqjen e ujit. Problematika e peshqve… jemi që prej ditës së djeshme me ushtrinë, bashkinë, për të normalizuar situatën. Firma ka bërë mbi 90 për qind të punimeve. Bashkia ka bërë kontrollet e duhura për pjesën që i takon. Bashkia e ka njoftuar personin që ka pasur këtë për ndërhyrjen që do t’i bëhej. Kishte informacion për të hequr apo grumbulluar peshkun”, tha ai.

Pasojat e zbrazjes së rezervuarit nuk janë vetëm mjedisore. Në këtë sipërfaqe kishte prej vitesh edhe një aktivitet të mbarështimit të peshkut.

Ylli Kashari thotë se e kishte shfrytëzuar rezervuarin prej vitesh familjarishte, ndërsa pranon se licenca i kishte përfunduar në tetor të vitit 2022. Ai thotë se kishte aplikuar për rinovimin e saj, por pretendon se për vite me radhë nuk ka marrë përgjigje nga institucionet.

Sipas tij, pavarësisht situatës së licencës, ai vazhdonte ta ruante peshkun dhe nuk ishte njoftuar për zbrazjen e rezervuarit.

“Ju po e shikoni vetë dëmin, unë me atë ushqehesha ekonomikisht. Mua nuk më ka njoftuar njeri që të largoja peshkun. Për njerëzillëk të vinin njerëzit e të merrnin peshkun. Asnjë njoftim për këtë punë. Dokumentacionin e kam dërguar në Ministrinë e Bujqësisë. Asnjë përgjigje se përse nuk po merrja licencën. Megjithatë, e ruaja rezervuarin, se kisha mallin tim”.

Kashari pretendon se dëmi ekonomik është i konsiderueshëm dhe thotë se do ta kërkojë dëmshpërblimin në rrugë ligjore. Ai thotë se edhe pse nuk kishte një licencë aktive për aktivitetin e mbarështimit të peshkut, sipas tij, institucionet duhej ta kishin njoftuar për ndërhyrjen.

“Mendoj se mund të ishte shmangur ky dëm ekonomik. Nuk ka ndodhur asnjëherë kjo. Ky rezervuar kishte ujë, shikoje nivelin e ujit, por e hapi firma se donte të punonte. Përgjegjësinë ia kërkoj shtetit. Ministrja tha që jam njoftuar, sepse ashtu i ka thënë bashkia. Dëmi është shumë i madh, por shifrën konkrete e di zyra e kontabilitetit. Me avokat do ta kërkoj të drejtën time”.

Ndërkohë, në terren vijon operacioni për pastrimin e rezervuarit. Për dezinfektimin e zonës është ndërhyrë edhe nga ajri, me përdorimin e dronëve. Në tokë, skavatorët dhe mjetet e ushtrisë po mbledhin peshqit e ngordhur dhe mbetjet, për t’i larguar më pas nga zona e banuar.

Por, edhe ky operacion nuk po zhvillohet pa vështirësi.

“Kjo është e vetmja saraçineskë që shërben për shkarkimin e rezervuarit të Kasharajt. Pas zbrazjes së plotë të rezervuarit, në këtë zonë ka ndodhur një rrëshqitje dheu në skarpatën e majtë, pranë pusetës së marrjes së ujit. Rrëshqitja ka sjellë bllokimin e tubit të shkarkimit. Ky tub është i rëndësishëm, pasi përmes tij bëhet menaxhimi i ujit sipas nevojave dhe kërkesave të fermerëve”

Rehabilitimi i rezervuarit është një investim i Bashkisë së Lushnjës, e cila ka lëvruar një fond prej 32 milionë lekësh. Punimet duhej të kishin përfunduar një vit më parë, por firma fituese e tenderit ka kërkuar shtyrje të afatit.

Ndërkohë, Policia e Drejtorisë Vendore të Fierit ka proceduar penalisht 58-vjeçarin Ferdi Marra, administratorin e firmës zbatuese të punimeve.

Rezervuari i Kasharajt është ndërtuar në vitin 1985 dhe është një nga rezervuarët më të mëdhenj të zonës së Myzeqesë.

Ai përfshin një basen ujëmbledhës prej 4,190 hektarësh dhe ka një sipërfaqe ujore prej rreth 190 hektarësh, me kapacitet rreth 11 milionë metra kub ujë.

“Ndërsa  autoritetet po përpiqen të pastrojnë pasojat, mbetet pyetja më e rëndësishme: si u arrit deri këtu dhe kush mban përgjegjësi për ngordhjen masive të peshqve? Përgjigjen pritet ta japë hetimi, ndërsa sot, nga Kasharaj, bilanci është i dukshëm: një rezervuar i boshatisur, mijëra peshq të ngordhur dhe një situatë që do kohë të kthehet në normalitet”/abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!