Sondazh

Vendimi i Hagës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Policia përplaset me nxënësit protestues në Francë, mbyllen rreth 400 shkolla

schedule22:37 - 2 Tetor, 2026

schedule 22:37 - 2 Tetor, 2026

Policia franceze është përplasur të premten me nxënës të shkollave të mesme në qytete të ndryshme të Francës, ndërsa qeveria e presidentit Emmanuel Macron po përpiqet të ndalë përshkallëzimin e protestave për kushtet në shkolla dhe financimin e arsimit.

Rreth 400 shkolla të mesme u mbyllën të premten për shkak të protestave.

Në Strasburg, policia përdori gaz lotsjellës, ndërsa në Marsejë protestuesit hodhën fishekzjarrë drejt policisë. Në Renë, u dogjën kontejnerë mbeturinash, raporton Reuters.



Në Paris, pati gjithashtu përleshje mes protestuesve dhe policisë.

Gjashtë muaj para zgjedhjeve presidenciale të vitit të ardhshëm, sondazhet tregojnë vazhdimisht mbështetje të ulët për Macronin dhe qeverinë e tij të orientuar nga qendra e djathtë.

Pakënaqësia është shtuar edhe nga shkurtimet e planifikuara në buxhet, të cilat pritet të përkeqësojnë problemet e financimit të arsimit.

Protestat nisën javën e kaluar në rajonin e Parisit, por janë përhapur në të gjithë vendin dhe janë bërë gjithnjë e më të dhunshme.

Ministri i Drejtësisë, Gerald Darmanin, tha për radion RTL se që nga fillimi i protestave janë arrestuar rreth 2 mijë persona, shumica prej tyre adoleshentë. Ai tha se prindërit e atyre që dëmtojnë pronën duhet të detyrohen të paguajnë për dëmet.

Darmanin tha se lëvizja e protestës së nxënësve ishte shfrytëzuar nga “persona të jashtëm”.

Ministri i Arsimit, Edouard Geffray, u bëri thirrje prindërve që t’i bindin fëmijët e tyre të mos dalin në protesta.

“Në rrugë, fëmijët janë në rrezik”, tha Geffray për televizionin BFM TV.

Nxënësit që kanë bllokuar hyrjet e shkollave kanë shprehur zemërim për numrin e madh të nxënësve në klasa, mungesën e vazhdueshme të mësuesve dhe gjendjen e dobët të ndërtesave, duke fajësuar mungesën e investimeve ndër vite.

“Jemi 35 nxënës në një klasë, nuk kemi mjaftueshëm karrige dhe pushimi njëorësh i drekës nuk mjafton që të gjithë të marrim ushqim”, tha 15-vjeçarja Kesia për Reuters në periferi të Parisit, para se të largohej me vrap ndërsa policia përdorte gaz lotsjellës.

Sipas projektbuxhetit për vitin 2027, të prezantuar nga qeveria të enjten, buxheti për arsimin pritet të rritet me 1.7 për qind, në 65.53 miliardë euro, pa përfshirë pensionet e mësuesve.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!