Presidenti rus Vladimir Putin deklaroi në forumin e Valdait se Rusia nuk ka ndërmend të sulmojë asnjë vend, duke thënë se Moska nuk do e bëjë këtë as në vitin 2029, as më 2030 dhe as më 2050.
Sipas tij, deklaratat e disa politikanëve evropianë për përgatitjen e një lufte me Rusinë, së bashku me stërvitjet ushtarake në Detin Baltik dhe përpjekjet për ndalimin e anijeve ruse, përbëjnë një përshkallëzim të situatës. Putin paralajmëroi se Moska është e gatshme të përgjigjet me çdo mjet, nëse e konsideron të nevojshme.
Gjatë fjalimit, Putin përsëriti qëndrimin e Kremlinit se Rusia nuk e ka nisur luftën në Ukrainë. Ai tha se Moska u detyrua të përdorte forcën pas zhvillimeve në Ukrainë që nga viti 2014. Putin akuzoi gjithashtu Perëndimin se kishte synuar t’i shkaktonte Rusisë një “humbje strategjike”.
Putin kundërshtoi edhe propozimin për ndalimin reciprok të sulmeve me rreze të gjatë mes Rusisë dhe Ukrainës. Ai e cilësoi propozimin si “absurd” dhe tha se Rusia nuk është e gatshme të ndalojë sulmet ndaj objektivave, që i konsideron pjesë të luftës. Sipas tij, sulmet ukrainase ndaj rafinerive ruse kanë shkaktuar dëme ekonomike, ndërsa sulmet ruse kanë goditur sektorë të rëndësishëm të ekonomisë ukrainase.
Një tjetër çështje e përmendur nga Putin ishte ajo e kompanive perëndimore, që kanë pasur aktivitet në Rusi. Ai deklaroi se asetet e këtyre kompanive, të vendosura nën administrim nga autoritetet ruse, mund t’u kthehen pronarëve, nëse në të ardhmen arrihet një marrëveshje me Moskën.
Putin mohoi se Rusia po i “vjedh” apo po i nacionalizon këto pasuri dhe tha se edhe asetet ruse në Perëndim janë marrë në mënyrë të padrejtë.
Putin kritikoi gjithashtu ngrirjen e rezervave ruse në Evropë dhe përdorimin e të ardhurave prej tyre për të mbështetur Ukrainën. Sipas tij, kjo është e papranueshme dhe përbën shkelje të rregullave ndërkombëtare. Në të njëjtën kohë, ai tha se Rusia mbështetet kryesisht në industrinë e saj të mbrojtjes për furnizimin me armë.
Nga ana tjetër, presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky njoftoi se Ukraina ka përdorur për herë të parë një raketë balistike taktike të prodhimit vendas, të quajtur FP-7, dhe tha se tani synohet kalimi në prodhim. Forcat ajrore ukrainase njoftuan gjithashtu se një avion luftarak MiG-29 u godit nga një raketë ruse gjatë një misioni dhe piloti Marat Mambetov humbi jetën.
Në deklaratat e tij, Putin foli edhe për marrëdhëniet me presidentin amerikan Donald Trump. Ai i përshkroi ato si “të mira dhe prej kohësh” dhe tha se Rusia është mirënjohëse për përpjekjet e Trump për të gjetur një zgjidhje për krizën ukrainase. Putin përmendi gjithashtu Zonjën e Parë Melania Trump dhe tha se Moska e vlerëson angazhimin e saj humanitar gjatë konfliktit.


