Vata dhe Kola jashtë liste, presidenti Duka kërkon llogari

schedule16:29 - 8 Janar, 2020

schedule 16:29 - 8 Janar, 2020

Ka pakënaqësi në Federatën Shqiptare të Futbollit për listën e lojtarëve shqiptarë në Ndeshjen e Yjeve. Shqetësimi lidhet me lënien jashtë të ish-kapitenit Rudi Vata dhe të Bledar Kolës

Nuk ka kaluar pa polemika dhe ishte e pritshme. Lista e legjendave të kombëtares shqiptare për Ndeshjen e Yjeve nuk është pritur edhe aq mirë në Federatën Shqiptare të Futbollit, siç bëjnë me dije për Abc News burime brenda saj.

Presidenti Armand Duka, sipas këtyre burimeve, ka kërkuar llogari për mënyrën sesi është përpiluar lista emërore, ndonëse kjo nuk ka qenë kompetencë e Federatës. Shqetësimi i tij mësohet se ka qenë për lënien jashtë të ish-kapitenit Rudi Vata dhe të ish-liderit të mesfushës, Bledar Kola.

Mësohet se emrat janë përzgjedhur në Sindikatën e Futbollistëve, që kryesohet nga lojtari i Tiranës, Andi Lila, ndërsa nuk është e qartë se përse Vata dhe Kola nuk kanë qenë pjesë e saj. Flitet se arsyeja mund të ketë qenë ndonjë konflikt ii mëparshëm i Vatës me ish-lojtarë të tjerë të rëndësishëm të kombëtares si Strakosha apo Tare, ndonëse kjo nuk konfirmohet nga askush.

Në Federatë thonë se ata e ftuan Vatën dhe Kolën në përurimin e “Arenës Air Albania”, pra në ndeshjen ndaj Francës në eliminatoret e Europianit, ndonëse ky i fundit nuk erdhi. Vetë ish-kapiteni u shpreh kështu në emisionin “Presing”, në Abc News”.

Në listën e lojtarëve shqiptarë, në Ndeshjen e Yjeve për të mbledhur ndihma për të dëmtuarit nga tërmeti, ka 20 emra, që nga Cana, Strakosha, Tare, Bushi, Bogdani, Aliaj, Skela apo Lala. Njëri nga të ftuarit, ish-kapiteni tjetër kuqezi, Besnik Hasi, do të jetë I pranishëm vetëm në pjesën e parë të ndeshjes së të premtes në “Arenë” pasi do të duhet të largohet drejt Arabisë Saudite ku punon si trajner. /abcnews.al