Vijon operacioni policor i koduar “Shkolla të pastra” në Tiranë. Policia ka arrestuar një 28-vjeçar të shpallur në kërkim në kuadër të këtij operacioni, i dyshuar për shitje të lëndëve narkotike pranë institucioneve arsimore.
Gjatë kontrollit në banesën e tij, në rrugën “Rreshit Petrela”, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan:
2 pistoleta dhe municion luftarak;
363 gramë kokainë, të ndarë në 235 doza;
1 peshore elektronike.
Në pranga u vu shtetasi O. F., 28 vjeç, banues në Tiranë. Ai ishte shpallur në kërkim pasi Gjykata e Tiranës kishte caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
Policia vijon hetimet për dokumentimin e plotë të veprimtarisë kriminale dhe kapjen e personave të tjerë të shpallur në kërkim në kuadër të operacionit “Shkolla të pastra”.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë për veprime të mëtejshme.
/abcnews.al/


