Gjatë një diskutimi në emisionin “Real Story” në ABC News lidhur me hetimet ndaj ish-drejtueses të SHISH, Vlora Hyseni, eksperti i kriminalistikës Ervin Karamuço ka analizuar sfidat ligjore me të cilat po ndeshet SPAK-u.
Sipas tij, ngërçi kryesor i prokurorisë lidhet me kufijtë e hetimit të një institucioni kaq specifik, pasi prokurorët nuk mund të ekzaminojnë drejtpërdrejt pajisjet e krerëve të inteligjencës.
Karamuço theksoi se materialet e publikuara në media duken të fotografuara nga një kompjuter dhe se verifikimi i tyre kërkon ekspertizë speciale si dhe auditim të brendshëm. Ai shtoi se çdo pretendim për cenim të sekretit shtetëror duhet të certifikohet nga partnerët ndërkombëtarë për të përcaktuar me saktësi brendinë e dosjes.
“Ato dokumente që kam parë unë në media janë të fotografuara nga një kompjuter, nuk janë marrë nga ato të një avokati. Kemi mungesë se si përcaktohet, prokurori nuk mund të futet vetë të hetojë celularët e një drejtuesi të SHISH.
Është bërë një auditim sekret se çfarë është bërë. Nuk dimë se çfarë sekreti tjetër ka dalë, por kjo duhet certifikuar nga partnerët. Askush nuk di të flasë për gjithë brendinë e dosjes. Ky është ngërçi që ka SPAK, se deri ku, në çfarë thellësie të hetimit të dosjes shkon. Sepse ato dosje mund t’i prekë vetëm një auditimi të brendshëm”, tha Karamuço.


