Askush nuk e ka “shkopin magjik”. Nuk e kanë pasur as legjendat e kaluara të stolit si Shën apo Herbeger, apo edhe vetë Kaizeri Franc Bekenbauer. Nuk mund ta pretendojë këtë as Jurgen Klop, debutimi shtëpiak i të cilit në stolin e Gjermanisë u rrëzua nga një disfatë.
Pas barazimit pozitiv në Holandë, që fare mirë mund të kishte qenë fitore, katër herë kampionët e botës treguan fytyrë krejt tjetër. Përballë një Greqie që vetëm u mbrojt, edhe pse e bëri shumë mirë, “teutonët” nuk patën ide për ta shkatërruar “bunkerin”.
Nuk bëri punë epërsia totale me pesëfishin e gjuajtjeve në portë, dhe grekët ia dolën me golin e shënuar në 74’ nga Kurbelis. “Zhgënjimi I parë me kombëtaren tonë të re, – titullon e përditshmja “Bild”, – debutim I pasuksesshëm në shtëpi për Jurgen Klopin!”
Gazeta bulevardeske ka kritika të ashpra për lojtarët dhe gjashtë prej tyre I përcakton si ngelës që duhet të ndryshojnë ose të zëvendësohen! I njëjti refren nga revista sportive “Kiker”, që vendos 3 nota 5, që është ngelëse në shkollë, dhe që shkruan se ndeshja ndaj Greqisë pati lojë pa ide!
Klop hodhi në fushë disa lojtarë dhe zhgënjyen Adejemi, Bambase Konte, Shade apo Ebnutalib, ndërsa i vetmi që u lavdërua ishte Feliks Nmeça, që provoi të luante vertikalisht.
Vetë trajneri I shquar dhe tepër tërheqës, pranoi se ekipi i tij u tregua i paaftë për të çarë mbrojtjen e Greqisë, se mund të kishte pranuar një fitore të vogël, porse humbja nuk ishte aspak gjë e bukur.
Sidoqoftë, ai shtoi se kjo është pjesë e procesit të rindërtimit. Gjermania ndodhet në vendin e tretë në grupin e saj në Ligën e Kombeve të Nivelit A, pas Greqisë me pikë të plota dhe Holandës, ndërsa në fund është Serbia pa asnjë pikë.
Ndeshja e radhës është në 1 tetor pikërisht ndaj serbëve në “Alianc Arenë” të Mynihut, dhe publiku gjerman pret vetëm kthesën me fitore./abcnews.al


