Sondazh

Vendimi i Hagës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

“Punoj për Shqipërinë në Europë”, Rama: Jam për historinë, jo për pasurinë

schedule14:58 - 27 Shtator, 2026

schedule 14:58 - 27 Shtator, 2026

TIRANË- Kryeministri i vendit, Edi Rama ka deklaruar se synimi i tij është të lërë një gjurmë në zhvillimin e vendit dhe jo të përfitojë pasuri personale nga detyra. Ai theksoi se dëshiron një Shqipëri që të ketë një rol të barabartë me vendet e tjera në tryezat ndërkombëtare.

Rama deklaroi gjithashtu se synon që Shqipëria të anëtarësohet në Bashkimin Evropian brenda kësaj dekade, duke e lidhur këtë objektiv me forcimin e shtetit ligjor dhe një drejtësi të pavarur.

“Por kurrë, asnjëherë, paraja, pronat apo favoret e çfarëdolloji kundër ligjit, nuk e kanë përkulur dot bindjen time se në këtë rrugë, unë jam për të dhënë jo për të marrë. Jam për të lënë emrin, jo për të fryrë xhepin. Jam për të bërë histori, jo për të bërë pasuri. Jam për të transformuar Shqipërinë, jo deformuar vetveten.

E pikërisht për historinë, për emrin, për Shqipërinë, unë e dua këtë vend me kokën lart, me flamurin sa më lart, të barabartë mes të barabartësh, në tryezat më të larta. E dua në Bashkimin Europian brenda kësaj dekade, me shtet ligjor e me drejtësi të pavarur prej meje dhe prej çdo qeverie e kryeministri pas meje.

Prandaj sot, kur më ka ndalur në këtë sallë, me të zbritur pikërisht tema e drejtësisë dhe kur të gjithë kundërshtarët e mi, që nga ata të përdalët e rrugëve opozitare e deri te dështakzemërakët e ish-rrugëve qeveritare, kujtojnë se kanë shpikur “bombën çudibërëse” që do hedhë përtokë Ramën, “Korrupsion – Korrupsion – Korrupsion, na mbyti korrupsioni”, dua të jem shumë i qartë me ju të gjithë:

Le ta hedhin atë bombë mëngjes, drekë dhe darkë në ekranet televizive e le ta shpërthejnë orë e çast në pasqyrat sociale, a thua se përsëritja si në jerm e një fjale të ndyrë me zë të lartë, do të mund ta zhbëjë pastërtinë e luftës sime të gjithanshme, e cila duan s’duan ata që s’duan, i riktheu këtij vendi kryeqytetin e varrosur nën plehra dhe prej një dekade po transformon Shqipërinë dhe ringre shtetin shqiptar. Dhe sado ta përsërisin, “Korrupsion – Korrupsion – Korrupsion, na mbyti korrupsioni”, e vërteta eshtë se në asnjë vend të mbytur në korrupsion, nuk ka luftë frontale kundër korrupsionit. Ka vetëm bashkëjetesë harmonike me korrupsionin.”, tha Rama./abcnews.al

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!