RINAS- Kryeministri Edi Rama ka reaguar ndaj akuzave lidhur me “dhuratat” që ka marrë gjatë ushtrimit të detyrës, duke mohuar se pushteti i tij është përdorur për të dhënë favore të paligjshme.
Sipas Ramës, këto dhurata janë regjistruar si pronë e shtetit shqiptar dhe nuk janë marrë në banesën e tij personale.
“E di mirë çfarë flas po ashtu, kur ju them se pushteti im s’është përdorur kurrë për të dhënë favore të errëta apo për të marrë dhurata të paligjshme. Sot në kryeministrinë e Republikës së Shqipërisë, ka një muze të dhuratave që merr kryeministri. Atyre pisanjosëve me kostum parlamentar apo me sqep sorrash e korbash në vend të buzëve, të cilët ndër plot jashtëderdhjet e tyre në mexhelisin e Shqipërisë, kanë nxjerrë edhe një orë super të shtrenjtë, që unë e paskesha marrë dhuratë nga krimi i organizuar, u them se në atë muze ka thuajse një duzinë orash të shtrenjta e super të shtrenjta, të cilat më janë dhuruar mua, personalisht, jo nga kriminelë po nga miq të fuqishëm a vizitorë shumë të nderuar.
Por ndryshe nga paraardhësi im, që i ka përlarë të tëra bashkë, me tërë dhuratat e tjera të tetë viteve të tij në zyrën e kryeministrit, unë i kam regjistruar të gjitha dhuratat për kryeministrin si prona të shtetit shqiptar. Sepse çfarë vjen për mua si kryeministër dhe çfarë më takon të kem si kryeministër, nuk vjen as për ta çuar në shtëpinë time, as për ta pasur edhe për veten time. Prandaj për shembull privatisht unë udhëtoj gjithnjë njësoj si çdo shqiptar tjetër ose prandaj fjala vjen, makina ime merret me qera nga partia, nuk blihet nga kryeministria, përderisa përdoret edhe për udhëtime partie e jo vetëm qeverie.”, theksoi Rama./abcnews.al

