Një incident i rëndë ka ndodhur në fshatin Whelford në Britani të Madhe, pranë bazës ajrore RAF Fairford në Gloucestershire, ku janë evakuuar disa banesa ndërsa autoritetet vijojnë hetimet. Policia e Gloucestershire njoftoi se disa persona janë arrestuar në orët e para të së dielës, nën dyshimin për vepra penale në kuadër të Ligjit për Eksplozivët.
Ndërkohë, një ekip i specializuar i ushtrisë britanike për çaktivizimin e mjeteve shpërthyese po kontrollon disa automjete në zonë.
Autoritetet kanë vendosur një kordon sigurie dhe deklarojnë se situata besohet të jetë nën kontroll dhe e kufizuar në zonën e incidentit.
Banorët e evakuuar janë dërguar në një qendër sportive, ndërsa në terren ndodhet një numër i madh i shërbimeve të emergjencës, përfshirë ekipet e specializuara për incidente me materiale të rrezikshme.
RAF Fairford është një bazë që pret edhe forcat ajrore amerikane. Sipas raportimit, baza është përdorur për dislokimin e bombarduesve amerikanë që prej nisjes së konfliktit në Iran më 28 shkurt.
Policia britanike ka deklaruar se po bashkëpunon me institucionet e tjera dhe po zbaton planet e emergjencës të parashikuara për raste të tilla. Hetimet vijojnë.
Baza ka qenë në qendër të protestave në muajt e fundit për shkak të vendimit të qeverisë britanike për të lejuar SHBA-në ta përdorë atë për të kryer sulme ndaj vendeve të raketave iraniane që po sulmojnë anijet në ngushticën e Hormuzit.

