Tre shtetas shqiptarë dhe tre persona të tjerë kanë mbetur nën rrënojat e një ndërtese dykatëshe, e cila u shemb pas një shpërthimi të fuqishëm në lagjen historike Plaka të Athinës.
shqiptarët e bllokuar janë motër e vëlla, Florin dhe Florida Hoxha, si dhe Eris Cani. Ata kishin udhëtuar drejt Greqisë per pushime dhe kishin marrë me qira dhoma në godinën ku ndodhi shpërthimi.
Mes personave të tjerë që dyshohet se ndodhen nën rrënoja janë një shtetas amerikan, si dhe një çift, një grua greke dhe bashkëshorti i saj britanik, të cilët jetonin në ndërtesë.
Shpërthimi ndodhi, në një ndërtesë të vjetër dykatëshe në rrugën Lysikratous, pranë Akropolit dhe përballë Shtyllave të Zeusit Olimpik.
Nga shpërthimi, ndërtesa u shemb plotësisht, ndërsa një kalimtar mbeti i plagosur lehtë nga copëzat e shpërndara.
Ekipet e kërkim-shpëtimit vijojnë operacionin nën rrënoja./abcnews.al

