Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama do të marrë pjesë këtë të premte në sesionin e 81-të të Asamblesë e Përgjithshme të OKB ku do të mbajë dhe një fjalim përpara liderëve botërorë.
Rama do të mbërrijë në OKB në orën 16:20 me orën shqiptare dhe fjalimi do të mbahet rreth orës 17:00
Fjalimi i kryeministrit Edi Rama do të zgjasë rreth 15 minuta sipas protokollit të OKB.
Me interes pritet të shihet se cilat do të jenë çështjet që do të referojë kryeministri Rama përpara liderëve botërorë, ku më e nxehta mbetet dënimi i 4 ish-liderëve të UÇK nga Gjykata e Hagës.
Ndërkohë që kryetemë e fjalimeve në këto ditë nga liderët në OKB kanë qenë lufta dhe paqja, kryeministri Rama e ka dhënë një mesazh nga edicioni i tetë i takimit të Këshillit Europian të Korporatave.
“Dua të them se është një nder dhe privilegj i vërtetë t’ju bashkohem. Kjo platformë, e krijuar për të bashkuar dije që vjen nga burime të papritura, tregon gjithashtu diçka shumë të rëndësishme: kuptimin se paqja nuk është një arritje diplomatike që i paraprin zhvillimit ekonomik, por një kusht politik që zhvillimi ekonomik e bën të mundur. Nuk duhet të harrojmë se masa e vërtetë e progresit është horizonti i mundësive që u lëmë atyre që vijnë pas nesh; dhe për këdo që vjen pas nesh, ky horizont mundësish nuk është vetëm vendi ynë, por bota jonë e përbashkët. Ka kaq shumë gjëra që duhet t’i kuptojmë dhe t’i diskutojmë me njëri-tjetrin, dhe ka kaq shumë mençuri atje jashtë, të cilën Europa nuk ka arritur ta përvetësojë dhe zbatojë”.
Prej një jave, Rama ndodhet në SHBA për të marrë pjesë në Javën e Nivelit të Lartë të sesionit të 81-të të Asamblesë së Përgjithshme të OKB.
Kryeministri shoqërohet nga bashkëshortja e tij, Linda Rama si dhe delegacioni zyrtar shqiptar.
Përtej pjesëmarrjes në OKB, Rama ka shfrytëzuar qëndrimin në SHBA për tu takuar edhe me komunitetet shqiptare në Michigan dhe Nju Jork./abcnews.al


