Medlir Mema, profesor i marrëdhënieve ndërkombëtare në SHBA, në një intervistë për “War Report” në ABC News, komentoi zhvillimet gjeopolitike dhe raportet mes fuqive të mëdha.
Mema tha se Europa përballet me një situatë të vështirë për shkak të konflikteve në Ukrainë dhe Lindjen e Mesme.
“Europa gjendet në dy konflikte, një në Rusi dhe një me Iranin. Por me Iranin Europa e ka mbështetur qëndrimin e SHBA ndaj Iranit, pra e ka bërë rolin e saj. Duhet thënë që Europa ndodhet në një situatë të vështirë. Dhe ndoshta palët e kuptojnë që mes SHBA, Rusisë dhe Iranit Europa është më e dobët”, u shpreh ai.
Gjatë intervistës, Mema foli edhe për marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Kinës. Sipas tij, forcimi i marrëdhënieve mes dy vendeve mund të ketë ndikim në pozicionin e Europës.
Ai theksoi gjithashtu se presidentit amerikan Donald Trump nuk do t’i leverdiste një luftë tregtare me Kinën.
Duke komentuar një takim të mundshëm mes Trump dhe presidentit kinez Xi Jinping, Mema tha se të dyja palët e kuptojnë rëndësinë e një takimi të nivelit të lartë, por sipas tij, ai nuk duhet interpretuar automatikisht si një arritje e madhe.
“Xi Jinping ka kuptuar që Trump nuk ka nevojë shumë për arritje teknike, por i bëjnë më shumë përshtypje demonstratat e mëdha apo takimet e mëdha. Dhe kjo është ajo që pritet të bëhet, do të jetë një takim i madh mes tyre, por nuk duhet të shihet si një arritje e madhe”, tha Mema.

