Komisioni Evropian pritet të mbështesë zyrtarisht objektivin e Shqipërisë për përfundimin e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian deri në fund të vitit 2027. Sipas zyrtarëve të BE-së, të cituar nga mediat ndërkombëtare, ky objektiv pritet të përfshihet në një udhërrëfyes të ri, i cili do të përcaktojë edhe reformat dhe hapat kryesorë që Tirana duhet të përmbushë për të mbyllur procesin.
Shqipëria e ka vendosur fundin e vitit 2027 si afatin e synuar për përfundimin e negociatave, një objektiv që kryeministri Edi Rama dhe zyrtarë të tjerë të lartë shqiptarë e kanë cilësuar vazhdimisht si një plan të dakordësuar me Komisionin Evropian. Me heret, pergjate muajit Korrik te ketij viti Komisioneria Europiane per Zgjerimin Marta Kos kishte deklaruar se zgjerimi nuk funksionon me Data por kjo qasje pritet të ndryshojë me udhërrëfyesit e rinj që Komisioni Evropian ka paralajmëruar për vendet kandidate që kanë bërë më shumë përparim.
Udhërrëfyesit pritet të përmbajnë një afat kohor orientues dhe të përcaktojnë më qartë hapat që vendet kandidate duhet të ndërmarrin. Ata do të përfshihen në paketën vjetore të Komisionit për zgjerimin, e cila pritet të publikohet në fund të tetorit dhe që përmban vlerësime për secilin vend kandidat dhe rekomandime për hapat e mëtejshëm.
Për Shqipërinë, Komisioni po përgatit gjithashtu një vlerësim të kritereve për mbylljen e negociatave, me fokus të veçantë te reformat në drejtësi dhe forcimi i shtetit të së drejtës, të cilat konsiderohen pjesë e “çështjeve themelore” të procesit të anëtarësimit. Në këtë kuadër, udhërrëfyesi pritet të përfshijë një listë me reformat dhe rezultatet konkrete që Shqipëria duhet të përmbushë për të mbyllur boshllëqet e mbetura në proces.
Një qasje e ngjashme është përdorur edhe për Malin e Zi, ku Komisioni përcaktoi reforma dhe rezultate konkrete që vendi duhet të realizojë për të përmbushur kriteret e mbylljes së negociatave. Sipas zyrtareve të BE të cituar nga Mediat Nderkombetare , Komisioni e ka vlerësuar këtë qasje si funksionale në rastin e Malit të Zi dhe synon ta zbatojë edhe për Shqipërinë.

