Sondazh

Vendimi i Hagës:

Shiko rezultatet

Loading ... Loading ...
 

Pjeshkët, nga pema në tryezë/ Puna e një viti përmblidhet në ditët e vjeljes

schedule22:42 - 22 Shtator, 2026

schedule 22:42 - 22 Shtator, 2026

Në Vashaj të Peqinit ka nisur një nga momentet më të rëndësishme të vitit për fermerët; vjelja e pjeshkëve.

Pas muajsh të tërë kujdesi, nga krasitja dhe ujitja te mbrojtja nga sëmundjet dhe dëmtuesit, fruti është gati të largohet nga pema dhe të nisë rrugëtimin drejt tregut.

Në parcelën e Faslli Salliu, rreth një mijë rrënjë pjeshke japin këtë sezon frytet e punës së një viti. Por vjelja nuk është thjesht këputja e frutit nga pema. Ai ka treguar për emisionin “Toka Jonë” në ABC News, se çdo pjeshkë duhet marrë në momentin e duhur, në mënyrë që të ruajë cilësinë dhe të përballojë edhe transportin.

“Duket që në ngjyrën e kokrrës. Kjo, për shembull, nuk këputet. Është akoma duke u rritur. Italiani na thoshte të kontrollonim edhe thonjtë. Mos e gërvisht, mos e vrit, sepse ajo do të ruhet në frigorifer, nuk do të shkojë direkt në treg”, tregon fermeri.

Pjeshkat nuk piqen të gjitha njëherësh. Për këtë arsye, vjelja në parcelë zgjat deri në dy javë, me fermerët që rikthehen vazhdimisht te pemët për të marrë vetëm frutat që kanë arritur pjekurinë e duhur.

Pas vjeljes, puna nuk përfundon. Pjeshkët duhet të sistemohen dhe të ruhen në kushtet e duhura për të shmangur dëmtimet. Ndërsa frutat që nuk plotësojnë standardet e tregut të freskët mund të përdoren për përpunim.

Për fermerët, ky është momenti kur puna e një viti merr formë. Çdo frut që mbushet në arkë përfaqëson muaj kujdesi, investimi dhe pritjeje.

Pjeshkat e prodhuara në këtë zonë shkojnë jo vetëm në tregun vendas, por edhe jashtë vendit, përfshirë tregje europiane. Por përpara se të mbërrijnë në tryezën e konsumatorit, pas çdo fruti qëndron puna e fermerit.

Në Vashaj, pemët tashmë janë në ditët e tyre më të ngarkuara. Arkat mbushen njëra pas tjetrës dhe një tjetër sezon vjeljeje merr rrugë.

Nga pema në arkë, nga parcela në treg dhe më pas në tryezë. Një cikël që nis shumë përpara se pjeshka të marrë ngjyrën e saj dhe që për fermerin përmblidhet në pak ditë vjeljeje.

/abcnews.al/

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!