Mijëra qytetarë në Prishtinë protestuan për të gjashtën natë radhazi në sheshin Skënderbeu kundër vendimit të Gjykatës Speciale ndaj katër ish krerëve të UÇK
Protesta ishte vazhdim i tubimeve që nisën më 16 shtator, pas vendimit të gjyqtarit Charles Smith, ndërsa në sfond kishte flamuj kombëtarë shqiptarë, logon e ushtrisë çlirimtare dhe flamuj të shteteve të Bashkuara.
Më pankarta në duar ku u shkruajtën mesazhe “Jo në emrin tim” dhe “Liria ka emër” qytetarët lexuan njëzëri betimin e ushtarit të UÇK dhe kërkuan drejtësi.
“Shpresa, siç mund ta shihni vetë, është që ne duhet të protestojmë çdo ditë, duke besuar se drejtësia do të triumfojë në favor të çlirimtarëve në apel”, tha protestuesi, Minavere Hoti.
“Ne po protestojmë sepse është bërë një padrejtësi e madhe. Kombi ynë luftoi për liri”, u shpreh, Smajl Nezaj.
Nuk munguan as posterat me fotot e ish presidentit Hashim Thaçi dhe liderëve të tjerë të UÇK. Prezent si në çdo organizim ishin edhe djemtë e tyre.
Një pikë që u theksua veçanërisht nga organizatorët ishte ndryshimi dhe plotësimi i ligjit që rregullon Dhomat e Specializuara të Kosovës dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar.
Protestuesit theksuan se çështja nuk duhej të shihej si pronë e një partie politike, por si çështje më e gjerë shoqërore.
Protestat nuk janë kufizuar vetëm në Prishtinë.
Tubime kundër vendimit u zhvilluan edhe jashtë Kosovës, përfshirë New York, Kanada, Zvicër, Gjermani dhe Austri.

