Avokati në ekipin mbrojtës të ish-presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, Pierre-Richard Prosper ka deklaruar se vendimi ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë, sipas tij, ka qenë i ndikuar politikisht dhe i paracaktuar.
Në një intervistë për Klan Kosova, Prosper ka pretenduar se trupi gjykues ka injoruar prova që ai i konsideron kyçe dhe kredibile, përfshirë raporte të inteligjencës së NATO-s dhe një letër të Departamentit Amerikan të Shtetit të majit 1999.
Sipas tij, këto dokumente tregonin se UÇK-ja nuk kishte një vijë të unifikuar komanduese dhe kontrolli dhe se Hashim Thaçi dhe drejtues të tjerë nuk kishin mundësi t’u jepnin udhëzime personave në terren.
“Ne kishim informata të besueshme, kredibile, nga i gjithë aparati i inteligjencës së NATO-s, të shteteve anëtare të NATO-s dhe të vendeve të tjera, që e kishin bërë të qartë që nuk ka organizim, komandë dhe kontroll të UÇK-së. E kishin bërë të qartë që Presidenti Thaçi e të tjerët nuk ishin përgjegjës, pra nuk kishin mundësi për t’u dhënë udhëzime njerëzve në terren”, ka thënë Prosper.
Avokati ka kritikuar gjithashtu mënyrën se si është zhvilluar procesi gjyqësor, duke iu referuar numrit të ankesave të paraqitura nga mbrojtja në Apel.
Sipas Prosperit, mbrojtja ka paraqitur 44 ankesa në Apel dhe nuk ka fituar asnjërën prej tyre, ndërsa prokuroria, sipas tij, i ka fituar të gjitha.
Ai ka pretenduar gjithashtu se gjatë procesit gjyqtarët kanë marrë një rol që, sipas tij, i ngjante atij të prokurorëve, duke vënë në pikëpyetje paanshmërinë e procedurave.

