Është konfirmuar identiteti i tre viktimave, eshtrat e të cilëve u gjetën në varrezat masive në Zubin-Potok gjatë muajve të fundit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, njoftoi se Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka pranuar nga Komisioni Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur tre raportet e para të ADN-së, të përgatitura nga mostrat e mbetjeve mortore të zhvarrosura në lokacionet e varreve masive në Kalludër dhe Jabukë.
Sipas Kurtit, tre viktimat janë identifikuar si pjesëtarë të grupit të njohur si “Grupi i Intelektualëve”, kryesisht qytetarë nga Skenderaj dhe Mitrovica.
Ata ishin rrëmbyer dhe zhdukur më 19 prill 1999, gjatë luftës në Kosovë.
“Brenda më pak se dy muajve nga konfirmimi i varrit të parë masiv, analizat e ADN-së kanë konfirmuar identitetin e tri viktimave”, ka deklaruar Kurti.
Procesi i identifikimit të mbetjeve mortore vijon, ndërsa priten edhe rezultatet e analizave të tjera të ADN-së për viktimat e gjetura në këto lokacione.

