Në Vlorë, ndërtimi i Muzeut Hebraik nuk prek godinën e Muzeut Etnografik, e njohur më herët edhe si “Klubi Labëria”. Bëhet fjalë për dy godina të veçuara nga njëra-tjetra.
Ngritja e Muzeut Hebraik në Vlorë është miratuar me vendim të Këshillit Bashkiak në vitin 2024 dhe po ndërtohet në një zonë ku ka jetuar komuniteti hebre.
Projekti synon të dokumentojë dhe të përcjellë historinë e marrëdhënieve mes shqiptarëve dhe komunitetit hebre, mbrojtjen që shqiptarët u ofruan hebrenjve gjatë periudhës së Luftës së Dytë Botërore.
Sipas historianit Skënder Spahiu, nga rreth 620 vlonjatë të internuar në kampet e përqendrimit, nuk rezulton të ketë pasur asnjë hebre.
Punimet për ndërtimin e Muzeut Hebraik kanë nisur në shkurt të vitit 2025. Afati i parashikuar për përfundimin e tyre është 20 muaj, ndërsa vlera e projektit shkon në rreth 3 milionë dollarë.
Ndërkohë, edhe Muzeu Etnografik do të rikonstruktohet dhe për këtë janë lëvruar rreth 200 milionë lekë nga qeveria dhe Fondi Amerikan i Zhvillimit.
Punimet pritet të përfundojnë sa më shpejt, me synimin që godina e restauruar të jetë e vizitueshme për turistët vendas dhe të huaj.
/abcnews.al/

