Ditën e sotme u mbajt takimi lidhur me projektin “Price Watch Albania”, ku i pranishëm ishte kryeministri Edi Rama, Delina Ibrahimaj, ministre e Ekonomisë dhe Inovacionit dhe Petrit Malaj, ministër i Financave.
Takimi u zhvillua me përfaqësues të supermarketeve dhe furnitorëve kryesorë në vend, për jetësuar siç tha edhe kryeministri “Pasqyrën e Çmimeve”, një platformë e re digjitale për transparencën e çmimeve.
“Qëllimi është që t’i lehtësojmë njerëzit nga kjo mbingarkesë me marzhe të papranueshme fitimi. Kemi lehtësuar procedurat Tatimore”, tha Rama.
Ndërsa nga ana e saj ministrja Delina Ibrahimaj, njoftoi se në 1 tetor pritet të nisë publikimi i çmimeve.
Rama më tej nënvizoi se duhet të ketë bashkëpunim edhe me supermarkete e furnitorë për vendosjen në funksion të platformës, duke theksuar se qëllimi nuk është përcaktimi i çmimeve apo kufizimi i fitimeve, por krijimi i një tregu më transparent për konsumatorin.
Fjala e plotë e Kryeministrit Edi Rama:
Do ta nis aty ku e la ministrja. Ne nuk jemi të parët që bëjmë një përpjekje në këtë drejtim dhe eksperiencat që kemi analizuar, tregojnë që supermarketet kanë gjetur një gjuhë të përbashkët me qeveritë përkatëse në situata të caktuara siç është situata që po kalojmë dhe për produkte të caktuara dhe për hir të së vërtetës u bë një takimi parë, për të cilin unë mora informacion nga ministrja, ku gjithçka u duk sipas rezultatit të studimit tonë. Pastaj vetëm një aktor, këtu i pranishëm, u përgjigj, të tjerët u zhdukën. Tani, unë besoj që ju jeni të vetëdijshëm që po fitoni më shumë se sa ç’e mban zakoni i mirë në një bashkësi si e jona, që nuk është as Kina, as Amerika dhe ku ky kapitalizmi agresiv, ka filluar të bëhet shqetësues për të gjithë.
Unë dua t’ju them që të angazhohemi bashkërisht, jo në parim po konkretisht, që ju të konfirmoni rrjetin e pikave tuaja të shitjes për të marrë pjesë në një fazë të parë pilot dhe të niset transmetimi i të dhënave; të dorëzohet lista e produkteve që përputhen me kategoritë e kësaj faze, me “barcode”, me markë, me gramaturë, njësi matëse, përshkrime që i dini vetë të gjitha këto, në mënyrë që produktet të jenë të krahasueshme mes të gjithë rrjeteve; të ekspozohet lista e plotë e të gjithë dyqaneve dhe adresave në mënyrë që gjithëkush të shohë çmimin sipas pikave të ndryshme të shitjes; platforma të marrë çmimin real final për konsumatorin me TVSH dhe të dallojë qartë çmimin normal nga promocioni dhe periudhën e vijueshmërisë; të përcaktohet një standard i përbashkët për sa shpesh përditësohen çmimet dhe sa shpejt reflektohet ndryshimi në platformë; të mbahet përgjegjësi për saktësinë, për korrigjimin e gabimeve, mekanizmin e verifikimit e kështu me radhë dhe të përcaktohet nëse platforma do të tregojë edhe kur produkti nuk është në stok, në mënyrë që krahasimi të mos jetë formal por ta përdorë qytetari dhe çdo operator, të caktojë një përgjegjës administrativ teknik për ta zbatuar këtë.
Unë them që për qytetarin ka ardhur koha që të jetë shumë e thjeshtë të shikojë, të krahasojë dhe të zgjedhë dhe jo të jetë në errësirë dhe të përballet me çfarë i sjell rruga në errësirë dhe ndërkohë, të mos ketë po ashtu, edhe një pasqyrë konkurrence ku ai që është më i shkathëti dhe ai që është më i shpejti në adoptimin e çmimeve konkurruese të fitojë më shumë. Unë do ju lutesha të biem dakord për këto gjëra. Askush nuk iu thotë dhe askush nuk pretendon se do ishte marrëzi, që ne do të përcaktojmë çmimet, askush nuk ju thotë që juve nuk duhet të nxirrni fitime, këto janë gjëra që janë të mirëqena, ky është sistemi që kemi zgjedhur, por ka ardhur një moment tani, që duhet ta shikojmë njëri-tjetrin në sy.
Them që përderisa njëri nga ju këtu, i ka qëndruar deri në fund asaj që u fol, edhe ju të tjerët s’keni pse të mos i qëndroni, them unë. Askush nuk ju kërkon që juve të ndaloni së fituari se ju për këtë punë keni dalë në treg, që të punoni, të fitoni, por që të ngarkoni njerëzit, këtë ne, nuk do ta lejojmë; këtë unë jua siguroj, do jetë një problem i madh. Do thoni ‘’çfarë i hapëm vetes, në djall ato që po i fitojmë pa të drejtë’’.
Po flas shumë hapur, shumë drejtpërdrejtë, s’kam asnjë arsye të kem asgjë personale me askënd. Nuk mendoj që po kërkojmë ndonjë gjë të padrejtë, nuk mendoj që po ju kërkojmë të bëni ndonjë sakrificë, nuk po ju kërkojmë të ktheheni në organizata bamirësie, po ju themi ‘’fitoni, por lini të tjerët të marrin frymë’’. Është e papranueshme që ato çmimet këtu, janë mbi të tërë të tjerët dhe ajo që është dhe më e tmerrshme, është që shifrat e Bankës së Shqipërisë thonë 3 gjëra. E para që zhvlerësimi i euros duhet të sillte ulje të çmimeve që lidhen me euron; e dyta, që inflacioni i importuar ka rënë dhe treta që me produktet e brendshme këtu bëhet nami në çmime. Këtë e thonë shifrat e Bankës së Shqipërisë. Pa diskutim, me shumë respekt ju keni gjithë mundimet tuaja, mos mendoni që unë nuk e di se ça do të thotë të zgjohesh në mëngjes dhe të mendosh që do paguash rrogën në fund të muajit, se keni njerëz për të paguar, keni lloj-lloj vështirësish, këto të gjitha, më besoni që, jo sa ç’i dini ju, por në një masë të arsyeshme i di dhe ju respektoj shumë.
Domethënë nuk besoj se ka pasur, mbase do ketë më vonë, por deri më sot, një kryeministër më pro sipërmarrjes, sesa unë. Ama çdo gjë ka një kufi dhe po flasim për disa produkte jetike, nuk po flasim për deodorantë, as po flasim për vaku; po flasim për disa produkte jetike të shportës, për njerëzit që të maten shumë mirë për të blerë një kokërr vezë për shembull. Këtu tani them që është mirë që të jemi bashkë.
***
Të shtoj dhe një gjë tjetër, mund të ketë gjëra që ju mund të doni t’i ndani me ne për se si mund të bëhet më mirë kjo punë; mund të ketë ndonjë gjë nga ato që themi ne që, ju mund të thoni që kjo nuk bën sens; pra, për metodën, për rrugën jeni të mirëseardhur që të jepni opinionin tuaj që të na bëni vërejtje për çfarë është mirë që ta ri konsiderojmë dhe të na jepni mend për se si kjo që duam të bëjmë, të bëhet më mirë. Ju e dini shumë mirë që ne e kemi lehtësuar në maksimum peshën e administrimit tatimor mbi sipërmarrjen, probleme patjetër që ka po janë tek dhe tuk. Në tërësi, besoj, për të gjithë ata këtu ndër ju që kanë dhe një memorie historike të sipërmarrjes, s’keni shqetësime nga ato që dikur kanë qenë problem i madh. Patjetër që ka gjëra për të përmirësuar. Furnitorët me siguri kanë gjëra për të thënë në gjithë zinxhirin e aktivitetit të tyre se ku ne çedojmë, çalojmë apo pengojmë edhe jemi të gatshëm t’i dëgjojmë dhe të reagojmë për të t’i bërë gjërat më të lehta, se ky është qëllimi ynë. Ne e dimë shumë mirë që po nuk ishit ju mirë, asgjë nuk është mirë pastaj, kështu që çfarë ka, sipas jush që duhet korrigjuar në këtë qasje, bujrum, shpreheni në daç sot, në daç kur të takohemi përsëri. Çfarë ka që duhet shtuar, bujrum, na e thoni, jemi shumë falënderues, por qëllimin nuk duhet ta negociojmë. Qëllimi është që t’i lehtësojmë njerëzit nga kjo mbingarkesë me marzhe të papranueshme fitimi, jo se janë të paligjshme, janë komplet të ligjshme, por janë të papranueshme.
***
Me këtë rast është e vlefshme që përtej kësaj gjëje për të cilën ne erdhëm dhe mesa duket, të paktën, tani kur është qeveria në sallë, heshtja nuk është gjithmonë aprovim, është edhe “s’kam ça them tani, por do shihemi prapë”, por ndërkohë, besoj që me këtë rast ne, ministrja, stafi i Ministrisë së Ekonomisë në radhë të parë, por edhe drejtuesit e Tatimeve, Doganave kanë mundësinë të ndërtojnë një urë komunikimi më të strukturuar për të pasur biseda të dedikuara për shqetësime që mund të lidhen me doganat, për shqetësimet që mund të lidhen me tatimet, kështu që ne jemi shumë të gatshëm që të mësojmë nga ju dhe ministrja duhet të krijojë kushtet që të tilla biseda të bëhen dhe me tema të tjera. Sot ne erdhëm për këtë. Nëse kjo zgjidhet kështu siç tha vajza atje, me kaq lehtësi, atëherë shyqyr që u bë kjo sebep, s’paskemi problem këtu, gjithë ju mezi po prisni që të ulni çmimet, ne jemi shumë të kënaqur. Po qe se kjo ndodh, do ju japim dhe medalje por pas kësaj, ka tema të tjera që janë shqetësuese për ju, me siguri. Atëherë të ulemi t’i diskutojmë, të marrim përsipër çfarë do adresojmë, kur, si edhe juve të keni më shumë lehtësira; duke pasur më shumë lehtësira, të bëni më shumë biznes; më shumë lehtësi, më shumë shpejtësi, më shumë sasi. Është për ne detyrë.

