Kryeministri Edi Rama replikoi me opozitën në Kuvend, për çështjen “Becchetti’, ku rrëzoi pretendimet se biznesmeni italian do përfitojë 100 milionë euro nga shteti shqiptar, pas vendimit në arbitrazh.
Rama deklaroi se opozita nuk duhet ta bëjë për budalla popullin, pasi në çdo zgjedhje, populli e ka bërë zgjedhjen e tij dhe PD e ka bërë si zhele gabi.
Lidhur me Becchettin, Rama shtoi se ai ka hyrë në telash me shtetin shqiptar dhe është subjekt i të drejtës penale.
“Ajo që unë thashë, se ju ngulni këmbë në të njëjtën gjë. Unë e njoh vendimin e arbitrazhit, ndaj e kemi sulmuar në të tjera instanca. Ai vendim nuk është ekzekutuar. Ne jemi në disa procese, e kemi kontestuar në rrugën që kemi gjetur. Subjekti nuk ka marrë asnjë kokërr leku, por ka hyrë në telash të madh me Republikën e Shqipërisë, është subjekt i të drejtës penale. Paratë e bllokuara të Albcontrol, janë në një fond të ngrirë. Do preken kur të mbarojë çështja. Edhe SPAK ka hyrë aktivisht në këtë çështje. Mos e merrni për budalla popullin shqiptar, po qe puna për llogari, siç i bën ky popull, nuk i bën njeri. Në çdo zgjedhje iu ka ulur çmimin, iu ka bërë si rroba gabi. Siç thoshte e nderuara Jozefinë, zhele të gabit”, theksoi Rama./abcnews.al

