Kryeministri Edi Rama ka replikuar me opozitën në Kuvend, duke përgënjeshtruar pretendimin se biznesmeni italian, Francesco Becchetti do përfitojë 100 milionë euro nga shteti shqiptar, pas vendimit në arbitrazh.
Në Kuvend, Rama deklaroi se Becchetti do marrë zero lekë nga shteti shqiptar dhe se do të përballet me drejtësinë.
“Meqë më doli emri, një saktësim. Nuk kam thënë nuk e njoh vendimin e arbitrazhit, kam thënë, ai subjekti që e fitoi atë çështje, do marrë zero lekë nga shteti shqiptar. Pavarësisht se partia juaj tha se ai mori 100 milionë euro, dua t’iu informoj, se ai ka marrë zero lekë nga shteti shqiptar, si shumë të tjerë, që kur kapen mbas Shqipërisë, padrejtësisht, pastaj për një arsye ose tjetër nuk i shkon mbarë jeta, ai sot që flasim, subjekti së bashku me një apo dy nga arbitrat përkatës, do përballen me drejtësinë.
Më herët sesa vonë, të gjitha lekët që janë mbajtur padrejtësisht të ngrira, duke ia marrë Albcontrol do i kthehen shtetit shqiptar. Koha kur lloj lloj kriminelësh dhe legenash mund t’i merrnin Shqipërisë çfarë të donin, ka ikur. Ai do marrë zero lekë nga shteti shqiptar, këtë kam thënë unë. Ne kemi ndjekur rrugën ligjore, jemi në disa procese me subjektin në fjalë. Ka edhe proces penal jashtë Republikës së Shqipërisë. Për fatkeqësinë tuaj që keni shpërndarë atë lajm, ai do marrë zero lekë nga shteti shqiptar. Të gjitha lekët e mbajtura të ngrira, do kthehen në Shqipëri më herët sesa vonë”, theksoi Rama./abcnews.al

