Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Time Kadrijaj, ka reaguar lidhur me vendimet e Dhomave të Specializuara të Kosovës ndaj ish-krerëve të UÇK-së.
Kadrijaj ka kritikuar atë që e konsideron si barazim mes viktimave dhe agresorit, duke rikujtuar krimet e kryera gjatë luftës në Kosovë dhe rastet që, sipas saj, kanë mbetur pa u ndëshkuar.
Ajo ka thënë se AAK-ja ka qenë kundër votimit të Dhomave të Specializuara dhe se, në rastet kur është diskutuar zhbërja e tyre, ka qenë e gatshme të mbështesë një nismë të tillë.
Kadrijaj ka bërë thirrje për uljen e krerëve të institucioneve në një tryezë të përbashkët për diskutimin e një platforme, ndërsa si model ka përmendur Kroacinë.
“Është një Gjykatë politike, barazon viktimat me agresorin. As kriminelët e Millosheviçit nuk janë dënuar me vite drastike sa krerët e ish-UÇK-së. Sa të vrarë dhe fëmijë të vrarë, gra të dhunuara dhe ata kriminelë kanë mbetur pa u ndëshkuar. Një barazim i tillë nuk i bën nder Europës. Kjo nuk është demokraci.
Ne, si Aleancë, kemi qenë partia që nuk kemi votuar Dhomat e Specializuara dhe, kur ka pasur një tentativë për zhbërjen e saj, ne kemi qenë të gatshëm.
Kam parë gatishmëri që krerët e institucioneve të ulen të diskutojnë për një platformë. Modeli më i mirë është Kroacia, që ka mbrojtur me dinjitet krerët e saj.”

