Pasuritë e paluajtshme dhe turizmi rezultojnë dy prej sektorëve më të rëndësishëm në ekonominë shqiptare. Pozitiv është edhe fakti se edhe industria rezulton me rritje në tremujorin e dytë.
Sipas Instat sektori i shërbimeve ka vijuar të shënojë rritje gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026, me shitjet neto në volum që janë rritur në shumicën e aktiviteteve, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Sipas të dhënave të publikuara, rritjen më të lartë e kanë shënuar aktivitetet e pasurive të paluajtshme, me 38,9 për qind. Pas tyre renditen hotelet, me një rritje prej 22 për qind, po ashtu edhe bar-restorantet kanë regjistruar një përmirësim të ndjeshëm të shitjeve,duke u shtuar me 8,7 për qind, ndërsa pas tij renditet tregtia.
Sa i përket punësimit, të dhënat tregojnë një rritje të numrit të të punësuarve në disa prej aktiviteteve kryesore. Në tregti, punësimi është rritur me 5,6 për qind, ndërsa në transport, magazinim dhe postë me 5,7 për qind. Rritjen më të ndjeshme ndër aktivitetet e bëra publike deri tani e kanë shënuar hotelet, me 11,5 për qind.
Të dhënat tregojnë kështu një ecuri pozitive të aktivitetit ekonomik në një pjesë të konsiderueshme të sektorit të shërbimeve gjatë tremujorit të dytë të vitit 2026./abcnews.al

