Gjithçka nis nga toka, për çdo prodhim që ne konsumojmë. Këtu nis mundi, sakrifica dhe lodhja e një fermeri, nga moment i mbjelljes së farës e në korrje. ‘Toka Jonë’ e nis këtë rrugëtim të gjatë, por, me shpresën të jetë i vlefshëm për ju, nga Divjaka, një ndër zonat më të njohura në Shqipëri për kultivimin e kulturave bujqësore në perime, por, jo vetëm. Ne sot do të sjellim historinë e fermerit Mishel Verdha, të cilin e gjejmë në nisjen e sezonit të të mbjellave, sot kryesisht të patates, do e ndjekim në çdo proces.
Në Divjakë, dita nis herët. Zërat e shpendëve, lëvizja në parcela dhe puna e fermerëve i japin ritmin një zone ku bujqësia është pjesë e jetës së përditshme.
Mes kësaj është edhe Mishel Verdha, 30 vjeç, i cili, ndryshe nga shumë të rinj, ka zgjedhur të qëndrojë pranë tokës.
Dashurinë për bujqësinë e ka kultivuar që fëmijë. Misheli është rritur mes parcelave. Prindërit e tij merren me bujqësi prej më shumë se 3 dekadash, që pas ndryshimit të sistemit, dhe që fëmije e kanë marrë me vete në tokë.
Sot, edhe pse ka përfunduar studimet e larta për Teknologji Informacioni, nuk e ka ushtruar asnjë ditë profesionin, sepse për të jeta merr kuptim mes parcelave.
“Punën në bujqësi e kam nisur herët, para 10 vitesh, nga prindërit, sepse e kishim pasion. Prindërit prej 36 vitesh merren me bujqësi, që pas prishjes së sistemit.
Kam mbaruar studimet e larta për Teknologji Informacioni. Mendoj se kam bërë zgjedhjen e duhur që jam marrë me bujqësi. Nuk jam bërë pishman dhe nuk kam punuar asnjë ditë në profesion. E shoh veten si fermer.”
Në Divjakë, për Mishelin puna nuk matet me orë, por, me lindjen dhe perëndimin e diellit . Sot, Misheli punon rreth 6 hektarë tokë. Në parcela ka patate, karota, lakra, panxhar dhe kultura të tjera. Por për të, zgjedhja për të qëndruar në fshat nuk lidhet vetëm me punën. Jeta që ka zgjedhur është e lidhur me tokën, por edhe me familjen që po ndërton këtu.
“Të rinjtë janë larguar nga bujqësia se nuk kanë pasur mundësi. Ka të tjerë që më thonë bravo që merresh me bujqësi.
Jam 30 vjeç. Nuk e kemi problem, e shoh krijimin e familjes në fshat. Ndihet pak si stereotip, por nuk e kam problem. E kam gjetur bashkëudhëtaren e jetës.”
Për shumë prej nesh, kjo mund të duket thjesht si një tokë e punuar. Por, fermeri e lexon ndryshe. Ai duhet të kuptojë nëse toka është gati, nëse ka lagështinë e duhur dhe, nëse kushtet janë të përshtatshme për farën që do të vendoset këtu. Sepse një gabim në këtë fazë mund të ndihet shumë më vonë.
Në Divjakë, patatet mbillen në disa faza. Pas mbjelljeve të para të nisura në janar, fermerët kanë hyrë tashmë në fazën e dytë.
“E punojmë si fillim, e plugojmë dhe më pas e ujisim që të marrë fiks për t’u mbjellë.”
Mbjellja në një sipërfaqe të tillë kërkon kohë dhe fuqi punëtore. Vetëm për patatet, Misheli këtë sezon ka mbjellë rreth 23 dylym.
“Nuk mund ta themi se është punë e thjeshtë. Ka atë lodhjen e vet. Nuk mund të mbillen aq dynymë në ditë. Kam mbjellë rreth 23 dynymë patate.”
Për fermerin, rezultati i gjithë kësaj pune do të matet në fund me prodhimin që do të dalë nga toka.
Por këtë nuk mund ta parashikojë me siguri. Në këtë periudhë, një prej shqetësimeve janë ngricat dhe më vonë temperaturat e larta.
“Mendoj se do kemi rendiment të kënaqshëm. Problemi është te ngricat, kushtet atmosferike.”
Ndërkohë, para se prodhimi të dalë në treg, fermeri duhet të përballojë shpenzimet e sezonit.
Për patatet, kostoja mund të arrijë deri në 1 milion lekë të vjetra për dynym. Përveç makinerive, gjatë periudhave me më shumë punë nevojiten edhe punëtorë, veçanërisht në korrje.
“Patatja shkon deri në 1 milion lekë të vjetra për dynym. Nuk mund të mbahet vetëm me mjete bujqësore, punësojmë edhe punonjës sidomos gjatë korrjes.”
Pasi mbillet, patatja kërkon trajtime dhe kontrolle gjatë gjithë zhvillimit. Plehërimi bazë dhe mbrojtja nga insektet janë ndër proceset e para që duhet të kryhen.
“Fillimisht plehërimi bazë, helmin e insekteve. Mund të zgjasë një javë, varet nga sipërfaqja e tokës.”
Në fund të këtij procesi është tregu, ku çmimi nuk përcaktohet vetëm nga fermeri.
Patatja shitet sipas periudhës dhe sasisë së prodhimit në treg. Familja Verdha e çon prodhimin te pikat e grumbullimit në qytete të ndryshme të vendit dhe një pjesë e prodhimit shkon edhe për eksport.
“Varet nga periudha, 30-50 lekë kilogrami. Varet nëse ka prodhim tregu.
Kemi pika grumbulluese, e çojmë nëpër qytetet e Shqipërisë. Po të shitej 50 lekë, do të ishim të kënaqur, sepse janë rritur edhe kostot e plehërimit.
Punojmë edhe me eksport, kryesisht tek vendet e Ballkanit. Me të njëjtin çmim si brenda vendit.”
Para se patatja të mbillet në tokë, një tjetër zgjedhje përcakton pjesërisht edhe atë që do të dalë prej saj: fara.
Misheli na tregon këtu se cilën farë përdor dhe si e ruan deri në momentin e mbjelljes.
“Farat i mbajmë në magazinë në kushte normale. Farën e vjeshtës e quajmë vendase se e marrim nga sezoni i parë. Farë elite, në fillim të janarit, na e sjellin nga Holanda dhe Gjermania.”
Por përpara se fara të vendoset në tokë, duhet të përgatitet edhe vetë parcela. Plehërimi është pjesë e kësaj faze dhe bëhet përpara mbjelljes, në mënyrë që toka të ketë elementët që i nevojiten bimës.
Edhe karota ka dëmtuesit e saj. Insektet nëntokësore mund të dëmtojnë bimën dhe për këtë arsye fermerët përdorin trajtime të kontrolluara.
“E dëmtojnë insektet nëntokësore. Merremi me helme e pesticide të kontrolluara.”
Në këtë punë, Misheli nuk është vetëm. Në parcelë Misheli është bashkë me prindërit. Të tre punojnë tokën, ashtu siç kanë bërë prej vitesh. Për Donikën, puna në bujqësi është art.
“Të merresh me bujqësi është art më vete. Ajri i pastër, prodhimi nga duart e tua është kënaqësi, mundi dhe djersa jote.”
Ndërsa, kryefamiljari tregon se një shqetësim i përhershëm për fermerët janë cilësia dhe çmimi i shtrenjtë i plehrave kimik.
Kostoja e inputeve bujqësore është një prej shpenzimeve që fermeri duhet ta llogarisë që në nisje të sezonit, sepse ajo ndikon drejtpërdrejt në koston e prodhimit dhe në fitimin që mund të mbetet në fund.
Sfidë për fermerët janë bërë edhe ndryshimet e forta klimatike, të cilat u shkatërrojnë të mbjellat vetëm për pak momente. Nisur nga kjo Ministria e Bujqësisë ka marrë një nismë për sigurimin e fermave të vogla edhe të mëdha. Shteti do të subvencionojë një pjesë të sigurimit.
Për Donikën dhe Mihalin, kjo punë është ajo që kanë bërë gjithë jetën dhe që ia kanë mësuar edhe djalit të tyre.
Misheli është brezi i ri i kësaj familjeje që ka zgjedhur të qëndrojë në fshat. Dhe pikërisht për të rinjtë që sot mendojnë të largohen, prindërit e tij kanë një mesazh.
Një ditë pune përfundoi. Farat janë në tokë, rreshtat janë vendosur dhe tani gjithçka i lihet kohës, tokës dhe kujdesit të fermerit. Abc News do të largohet nga parcela, ndërsa për familjen Verdha puna sapo ka nisur, përpara i pret një sezon i gjatë.

