Nga Shkodra Lulzim Basha akuzoi shefin e ekzekutivit se ka lidhje me kriminelët, e jo me qytetarët. Basha ftoi shkodranët të shtunën në protestë për të ngritur zërin kundër paligjshmërisë.
Shkodranët e pritën ndryshe.
Në bashkëbisedim me ta për protestën e 27 Janarit, kryedemorkati Lulzim Basha u tha se i pret të parët.
“Qeveria e paligjshme nuk ka për t’i rezistuar dot bashkimit të shqiptarëve. Nuk i rezistoi dot diktatura e jo më t’i rezistojë Edi Rama, ky frikacak që e mbyllën 1200 naftëtarë në bunker. Çfarë do t’i bëjnë 12 mijë shkodranë, 120 mijë shqiptarë të bashkuar në sheshin e protestës më 27 janar? Do t’i thonë se koha jote ka marrë fund!”
Basha tha se arsye e gjendjes ku ndodhet vendi sot, si dhe shtysë e qytetarëve nesër në protestë, është ndarja e realitetit të shqiptarëve dhe realitetit që jetojnë klientët e kryeministrit që nuk dinë çdo të thotë të fitosh paranë me djersën e ballit.
Kusarë pra, që nuk janë pasuruar me djersën e ballit. por me varfërinë e popullit dhe blerjen e votave. E vërteta është ai prindi në Laprakë që kishte shitur gjakun e trupit të tij për të ushqyer dy djemtë. E vërteta janë qindra, mijëra pensionistë që pasi paguajnë faturën e kripur të dritave dhe të ujit, nuk u ngelen lekë për ilaçe. Këto konstatime, tregojnë hendekun në rritje midis shumicës dërrmuese të njerëzve dhe një pakice oligarkësh, klientë të Ramës që vetëm flasin, vjedhin e shpërdorojnë paratë e shqiptarëve.
Thirrjen për t’iu bashkuar protestës Lulzim Basha i kërkoi t’ua shpërndajnë edhe miqve dhe të afërmve për të dhënë mesazhin kryesor se qeveria duhet të largohet dhe se shqiptarëve duhet t’u jepet mundësia të zgjedhin me votë të lirë një qeveri që e ka lidhur fatin me qytetarët dhe jo me krimin dhe oligarkët. /abcnews.al