Një rast i trafikimit të lëndëve narkotike nga Kanadaja drejt Shqipërisë është goditur në Portin e Durrësit.
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Anchor 2”, janë sekuestruar 107.7 kilogramë kanabis i llojit “Gelato”, me një vlerë të përllogaritur në treg prej rreth 1.2 milionë eurosh.
Në lidhje me rastin janë shpallur në kërkim dy persona, të dyshuar për trafikim narkotikësh.
Sipas policisë, gjatë kontrolleve të kryera në Portin e Durrësit, është ushtruar kontroll i imtësishëm në një kontejner të ardhur nga Kanadaja, brenda të cilit ndodheshin dy automjete dhe një kamper.
Gjatë kontrollit të kamperit, në hapësira të modifikuara dhe të mbuluara me veshje druri, janë gjetur të fshehura 190 pako me lëndë të dyshuar narkotike cannabis sativa të llojit “Gelato”.
Gjatë kontrollit, efektivët kanë sekuestruar gjithashtu 43 cigare elektronike, disa prej të cilave mbanin mbishkrime që deklaronin përmbajtje të lartë THC.
Nga hetimet e deritanishme dyshohet se lënda narkotike sigurohej në Kanada dhe më pas transportohej drejt Shqipërisë, e fshehur në hapësira të posaçme të modifikuara në automjetet e porositura për blerje./abcnews.al

