Për fat të keq kjo “ëndërr” përfundoi. Tenisti amerikan Sebastian Gorzni u zgjua nga një fantazi e bukur, që në të vërtetë ishte realitet, dhe u kthye në shtëpi. Njëzetedyvjeçari u mund, siç edhe ishin të gjitha parashikimet, në raundin e dytë në US Open, edhe pse 14 000 spektatorët në Stadiumin “Luis Armstrong: në Nju Jork ishin të gjithë me të.
Rusi Danil Medvedev ishte shumë i fortë për numrin 731 në botë, që hyri në Grand Slem që nga eliminatoret. Përfundoi në tre sete, me rezultatin 6-1, 6-3 e 7-5 për moskovitin e talentuar, veçse Gorzni e ka shkruar një faqe historie. Jo vetëm sepse sfidoi çdo pandehje duke fituar në raundin e parë ndaj belgut Kolinjon, në pesë sete, edhe pse i mbijetoi pesë topave të ndeshjes të kundërshtarit.
U deshën katër orë, ndërsa mediat amerikane dhe ato botërore u mbushën me historinë e pabesueshme të këtij tenisti. Shtatë vjet më parë, kur ishte 15 vjeç, u rrëzua pa ndjenja dhe u dërgua në spital ndërsa po merrte pjesë në një turne për adoleshentë.
Gorzni pati hemorragji cerebrale, ishte në koma, dhe mbahej më pas me oksigjen, ndërsa mjekët i dhanë vetëm 5 për qind shanse për të mbijetuar. U deshën katër ditë për t’u kthyer në jetë, e gjithçka kishte ndodhur për shkakun banal të pickimit të një mushkonje që krijoi infeksion në tru.
Kjo është diagnoza, edhe pse mjekët thonë se as sot e kësaj dite nuk janë plotësisht të bindur se çfarë i ndodhi. Ndoshta, fati do të vazhdojë të jetë me të, edhe pse mban vetëm vendin e 731-të në botë.
Në 2022, fitoi titullin për të rinj në dyshe në Uimbëlldon, një sukses jo I vogël, e kjo mundet t’i japë më shumë besim në vetvete.

