Kosovë- Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka liruar nga detyra 18 gjyqtarë serbë, të cilët kishin dhënë dorëheqje nga sistemi gjyqësor i Kosovës në vitin 2022.
Vendimi është marrë pas propozimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore.
“Pas propozimit të Këshillit Gjyqësor të Kosovës, në përputhje me përgjegjësitë kushtetuese dhe ligjore, sot kam liruar nga detyra 18 gjyqtarë serbë, të cilët kishin dhënë dorëheqje në vitin 2022”, ka shkruar Haxhiu në Facebook.
Më 27 gusht, KGJK-ja kishte refuzuar kërkesën e gjyqtarëve dhe stafit nga komuniteti serb për tërheqjen e dorëheqjeve të paraqitura në vitin 2022. Pas këtij vendimi, KGJK-ja i kishte propozuar ministres Haxhiu lirimin nga detyra të 18 gjyqtarëve.
Vendimi kishte nxitur reagimin e Bashkimit Evropian, i cili shprehu “keqardhje të thellë” për zhvillimet.
Në fund të nëntorit 2022, rreth 130 gjyqtarë, prokurorë dhe punonjës administrativë nga sistemi i drejtësisë kishin dhënë dorëheqje, në kuadër të largimit kolektiv të përfaqësuesve serbë nga institucionet e Kosovës në katër komunat veriore.
Largimi i tyre ishte pjesë e një serie tensionesh politike dhe institucionale që prekën veriun e Kosovës dhe marrëdhëniet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

