Ariana Grande i dha fund turneut “Eternal Sunshine” në Londër, në një koncert emocional që shënoi edhe tërheqjen e saj të përkohshme nga jeta publike.
Gjatë performancës, këngëtarja u përlot disa herë, veçanërisht gjatë këngës “One Last Time”, e cila është lidhur fort me viktimat dhe të mbijetuarit e sulmit terrorist të Mançesterit të vitit 2017. Grande falënderoi fansat për mbështetjen dhe tha se përvoja e turneut do të mbetet gjithmonë ndër më të bukurat e jetës së saj.
Muajin e kaluar, ajo njoftoi se do të bëjë një pauzë nga daljet publike, pas muajsh spekulimesh dhe vëmendjeje intensive ndaj shëndetit dhe pamjes së saj. Për këtë arsye, Grande u tërhoq edhe nga shfaqja teatrale Sunday in the Park with George në Londër, ku do të luante së bashku me kolegun e saj nga Wicked, Jonathan Bailey, i cili gjithashtu u tërhoq nga produksioni.
Megjithatë, gjatë koncertit në Londër, Grande performoi me energji dhe profesionalizëm, pavarësisht një dëmtimi në këmbë që e detyroi të zëvendësonte takat e larta me çizme platformë.
Turneu “Eternal Sunshine” ishte rikthimi i saj në skenë pas një mungese shtatëvjeçare. Vetëm koncertet në Londër u ndoqën nga rreth 200 mijë persona, me fansa që udhëtuan nga vende të ndryshme të botës për ta parë.
Grande ka theksuar se vendimi për t’u tërhequr nga vëmendja publike nuk është marrë për shkak të presionit të fansave, por si një zgjedhje e menduar prej kohësh. “Kufijtë duhen vendosur, edhe njerëzit kanë nevojë për një pushim ndonjëherë”, tha ajo.

