Sondazh

Grushtat në protestë, a shënojnë fundin e saj?

Loading ... Loading ...
 

17 vatra zjarri në të gjithë vendin, 4 mbeten aktive/ Angazhohen 164 forca dhe 2 helikopterë

schedule20:35 - 1 Shtator, 2026

schedule 20:35 - 1 Shtator, 2026

Vijon situata e zjarreve në disa zona të vendit, ndërsa strukturat e Mbrojtjes Civile dhe Forcat e Armatosura janë të angazhuara në terren për monitorimin dhe shuarjen e vatrave aktive.

Sipas përditësimit të Ministrisë së Mbrojtjes, bazuar në informacionin operacional të orës 20:00 të datës 1 shtator, në territorin e vendit janë raportuar gjithsej 17 vatra zjarri. Prej tyre, 4 janë aktive, 2 janë nën mbikëqyrje, ndërsa 11 janë shuar plotësisht.

Për përballimin e situatës janë angazhuar 164 forca operacionale dhe 13 automjete zjarrfikëse. Në mbështetje të operacioneve janë vendosur edhe Forcat e Armatosura, me 90 efektivë dhe 2 helikopterë.

Situata aktive është e përqendruar në Dajt, Vajkal, Lundre dhe Therepel.

Në Dajt, vijon ndërhyrja në drejtim të Qafë-Priskës, ku janë angazhuar 68 forca. Sipas autoriteteve, zjarri aktualisht nuk paraqet rrezik për zonat e banuara.

Në Vajkal të Bulqizës, zjarri vijon në terren shkëmbor. Deri tani flakët kanë përshkuar një sipërfaqe prej mbi 13 hektarësh, ndërsa në operacion janë angazhuar 48 forca. Edhe në këtë zonë, autoritetet raportojnë se nuk ka rrezik për banesat.

Në Lundre, në bashkinë Mat, situata po ndikohet nga era. Në operacion janë përfshirë strukturat vendore, vullnetarë, 30 efektivë të Forcave të Armatosura dhe 1 helikopter.

Ndërsa në Therepel të Skraparit, në terren po veprojnë forca të MZSH-së nga Skrapari, Berati dhe Poliçani, së bashku me vullnetarë dhe 1 helikopter të Forcave të Armatosura.

Ndërkohë, vatrat në Qafën e Lugut–Vithkuq dhe në malin e Qukësit–Prrenjas janë vendosur nën mbikëqyrje. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, këto vatra nuk paraqesin rrezik për zonat e banuara.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile (AKMC) vijon monitorimin e pandërprerë të situatës në të gjithë territorin e vendit, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.

Kapacitetet operacionale mbeten të angazhuara në terren dhe në gatishmëri për ndërhyrje, në varësi të zhvillimit të situatës gjatë orëve në vijim.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!