Presidenti amerikan Donald Trump ka kërkuar nga Apple që në aplikacionin Maps të ndryshojë emrin e Liqenit Ontario në “Lake America”, pas urdhrit ekzekutiv të nënshkruar prej tij. Ndryshimi ka shkaktuar reagime të forta në Kanada, ndërsa jo të gjitha platformat hartografike kanë pranuar ta zbatojnë.
Sekretari i Brendshëm i SHBA-së, Doug Burgum, deklaroi për Fox News se Trump “ka kontaktuar drejtpërdrejt me Apple”, duke lënë të kuptohet se ndryshimi në hartat e kompanisë mund të bëhet së shpejti.
Google tashmë ka ndryshuar emërtimin për përdoruesit në Shtetet e Bashkuara, ku liqeni shfaqet si “Lake America”. Ndërkohë, përdoruesit në Kanada vazhdojnë ta shohin atë me emrin tradicional “Lake Ontario”.
Google ka sqaruar se në pjesën tjetër të botës emri do të shfaqet si “Lake Ontario (Lake America)”.
Ndërkohë, në Kanada ndryshimi i emrit ka shkaktuar kundërshtime. Kompania Hydro One, me bazë në Toronto, kërkoi falje pasi një prej hartave të saj shfaqi emrin “Lake America”. Kompania tha se kjo ndodhi për shkak të përdorimit të një shërbimi hartografik të palës së tretë dhe se po punon për ta korrigjuar situatën.
Edhe hartat e disa institucioneve të tjera në Ontario, përfshirë Hydro Ottawa dhe Liquor Board of Ontario, shfaqën për një periudhë të shkurtër emërtimin “Lake America”.
Trump e nënshkroi urdhrin ekzekutiv të enjten, duke kërkuar zyrtarisht ndryshimin e emrit të Liqenit Ontario. Urdhri i kërkon Burgum-it të marrë masat e nevojshme për zbatimin e vendimit dhe të përditësojë Geographic Names Information System (GNIS), databazën zyrtare të qeverisë amerikane për emërtimet gjeografike.
Por jo të gjitha kompanitë amerikane kanë ndërmend ta zbatojnë ndryshimin.
MapQuest, një prej platformave amerikane të hartave online, deklaroi shkurtimisht: “Ne nuk po e ndryshojmë.” Kompania ka prezantuar gjithashtu një funksion që u mundëson përdoruesve ta emërtojnë liqenin sipas dëshirës së tyre.
Pas këtij njoftimi, MapQuest u rendit ndër aplikacionet falas më të shkarkuara në Apple App Store në Kanada.
Edhe kryeministri i Ontarios, Doug Ford, ka dalë hapur kundër ndryshimit të emrit. Të shtunën, pranë bregut të liqenit u vendos një tabelë e madhe ku shkruhej në anglisht dhe frëngjisht: “Lake Ontario Now and Always” – “Liqeni Ontario, tani dhe përgjithmonë”.
“Askush nuk do ta quajë ‘Lake of America’. Ka qenë Liqeni Ontario për qindra vjet dhe do të vazhdojë të jetë Liqeni Ontario”, deklaroi Ford.
Liqeni Ontario është një prej pesë Liqeneve të Mëdha të Amerikës së Veriut dhe shtrihet në kufirin mes provincës kanadeze të Ontarios dhe shtetit amerikan të Nju Jorkut.
Emrat e katër prej Liqeneve të Mëdha — Ontario, Huron, Michigan dhe Erie — kanë origjinë nga gjuhët e popujve indigjenë.

