Ministria e Mbrojtjes ka bërë përditësimin e fundit mbi situatën e zjarreve në vend, ku deri në orën 20:00 të 31 gushtit janë raportuar 12 vatra zjarri. Katër prej tyre vijojnë të jenë aktive, ndërsa katër janë nën mbikëqyrje dhe katër janë shuar plotësisht.
Për përballimin e situatës janë angazhuar, krahas strukturave vendore, 70 efektivë të Forcave të Armatosura dhe 3 helikopterë të Forcës Ajrore.
Vatrat aktive vijojnë të jenë në Dajt–Qafë Priskë, Vajkal në Bulqizë, Lundre në Mat dhe Urën e Shtrenjtë në Shkodër.
Në Dajt–Qafë Priskë vijon puna për shuarjen e flakëve, ndërsa është konstatuar edhe një riaktivizim. Në terren janë angazhuar 15 zjarrfikës, 9 forca të ADZM-së, 20 efektivë të Forcave të Armatosura dhe një helikopter.
Në Vajkal të Bulqizës, zjarri vijon në një sipërfaqe të gjerë me shkurre dhe dëllinja. Për përballimin e situatës janë angazhuar 53 forca, mes tyre edhe 30 efektivë të Forcave të Armatosura.
Në Lundre të Matit, zjarri vijon në sipërfaqe pyjore. Ndërhyrja po mbështetet nga 20 efektivë të Forcave të Armatosura dhe një helikopter.
Ndërkohë, në Urën e Shtrenjtë, Shkodër, ndërhyrja vështirësohet nga terreni i thepisur dhe mungesa e rrugëve për të aksesuar zonën.
Nën mbikëqyrje vijojnë të jenë vatrat në Qafë të Helmës–Bulqizë, Qafën e Lugut–Vithkuq, malin e Qukësit–Prrenjas dhe Zhejë–Kurbin.
Në Zhejë, ndërhyrja u mbështet nga tre mjete zjarrfikëse dhe një helikopter. Aktualisht, sipas të dhënave operative, nuk raportohet më vatër aktive në këtë zonë.
Zjarret janë shuar plotësisht në Sllatinë–Dibër, Ballenjë–Martanesh, Bershi–Kurdari–Patinë në Klos dhe malin e Dardhës–Librazhd.
Në përgjithësi, autoritetet bëjnë me dije se nuk raportohet rrezik për zonat e banuara nga vatrat aktive.
Vëmendja kryesore operacionale mbetet te Dajti, Vajkali dhe Lundre, për shkak të vijueshmërisë së zjarreve, terrenit të vështirë dhe nevojës për ndërhyrje të kombinuar tokësore dhe ajrore.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e pandërprerë të situatës në të gjithë territorin e vendit, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e sistemit të Mbrojtjes Civile.
Kapacitetet operacionale mbeten në terren dhe në gatishmëri për ndërhyrje, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe mjedisit.

