Të paktën e di mirë se çfarë duhet të bëjë.
Sfida e Kristian Asllanit për këtë sezon është krejtësisht e qartë, pasi kanë dalë në dritë disa nga detajet e marrëveshjes mes Interit dhe Al Xhazirës.
Klubi nga Katari e mori mesfushorin e Shqipërisë në një huazim njëvjeçar duke paguar 1.5 milionë euro, e padyshim duke kontribuuar në rrogën e tij sezonale.
Natyrisht, akordi parashikon blerjen përfundimtare të kartonit, e cila do të ishte e detyrueshme vetëm nëse realizohet një kusht.
Asllani do të duhet të luajë 20 ndeshje këtë sezon, që do të thotë pak a shumë gjysma e totalit.
Diçka e mundshme, ndonëse duhet parë se çfarë do të ndodhë.
Ylli kuqezi nuk ia doli kurrë ta bënte këtë gjë tek Interi, madje as tek Torino, ndonëse luajti 14 ndeshje në fazën e dytë në Superligën e Turqisë për Beshiktashin, si dhe ishte I shkëlqyer në fillimet e tij në Serinë A për Empolin, kur shënoi gol edhe në “San Siro” pikërisht ndaj zikaltërve.
Ato kohë sot duken larg, por ndoshta I mbiquajturi “Aslla” mund të bëjë një kthesë të madhe.
Edhe në Itali habiten me problemet e tij, ndërsa mosha e re 24-vjeçare është aleat për t’u kthyer në nivele të larta në karrierë.

