Të paktën 392 persona kanë humbur jetën nga përmbytjet apokaliptike në rajonin malor kufitar mes Nepalit dhe Kinës, ndërsa mbi 1 300 të tjerë rezultojnë të zhdukur, bëjnë të ditur autoritetet, ndërsa operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë.
Nga viktimat, 359 janë regjistruar në Nepal dhe tre në Kinë. Shumë prej trupave të gjetur në territorin nepalez janë transportuar nga rrjedha e ujit për kilometra në drejtim të kufirit me Indinë.
Në disa raste, ekipet e shpëtimit kanë gjetur vetëm pjesë trupash.
Policia nepaleze raportoi se qindra persona janë shpëtuar ose kanë marrë ndihmë mjekësore, ndërsa mijëra efektivë të ushtrisë dhe policisë janë angazhuar në operacionet e shpëtimit. Ushtria nepaleze ka evakuuar me helikopter qindra persona nga zonat e prekura.
Sipas kryeministrit Balen Shah, mbi 13 000 efektivë të ushtrisë dhe policisë janë mobilizuar për operacionet e emergjencës.
Vetëm gjatë së enjtes, 573 persona u evakuuan përmes 69 fluturimeve të ndihmës. Bordi i Turizmit të Nepalit bëri të ditur se 31 shtetas të huaj të raportuar të zhdukur janë shpëtuar, ndërsa 667 udhëtarë nga Nepali dhe vende të tjera vijojnë të konsiderohen të zhdukur.
Në anën kineze, në Tibet, më shumë se 550 persona rezultojnë të zhdukur, sipas mediave shtetërore kineze, mes tyre rreth 260 shtetas të huaj.

