Pas ndërhyrjeve nga toka dhe nga ajri situata e zjarreve në vend po përmirësohet. Shumica e vatrave janë vënë nën kontroll, ndërsa ekipet e emergjencave vijojnë betejën me flakët në tre vatra që mbeten aktive.
Vatrat aktive janë në Malin e Dajtit, Ballenjë dhe Qafën e Helmës.
Në Malin e Dajtit, gjatë ditës së djeshme u angazhuan 30 efektivë të FA-së dhe 30 efektivë zjarrfikës, ndërsa për shkak të terrenit të vështirë u aktivizua edhe 1 helikopter i FA-së. operacioni vijon por nuk ka rrezik për zonat e banuara.
Në Ballenjë të Dibrës , vatra vijon aktive por është në terren të thepisur dhe shkëmbor. Për shuarjen janë angazhuar forca ndërsa nuk paraqitet rrezik për zonat e banuara.
Edhe në Qafë Helmës të Bulqizës, vatra vijon të jetë aktive dhe mbahet nën monitorim por pa rrezik për zonat e banuara.
Situata paraqitet e përmirësuar në Pukë. Në zonën e Tërbunit, Gojanit dhe Gjegjanit, Zjarri është shuar plotësisht, ndërsa zonat vijojnë të mbahen nën monitorim.
Për menaxhimin e situatës janë angazhuar në total 370 forca operacionale dhe 22 automjete zjarrfikëse 1 ekskavator të rëndë me zinxhir dhe 3 helikopterë.


