Kryeministri Edi Rama ka folur nga Pogradeci pas përfundimit të ditës së parë të takimeve për përgatitjen e vitit të dytë të mandatit qeverisës.
Në fokus të diskutimeve, sipas Ramës, kanë qenë “Besa”, “Prania Besnike” dhe mënyra e re e komunikimit të qeverisë me qytetarët.
Rama njoftoi gjithashtu për krijimin e një ekosistemi të ri komunikimi, ku synohet që çdo kërkesë, shqetësim apo problem i qytetarit të ndiqet në kohë reale nga institucionet.
Në këtë kuadër, kryeministri foli për “Pasqyrën Unike”, ku do të jenë të pranishme të gjitha institucionet. Sipas tij, çdo kërkesë e qytetarit do të trajtohet si një “pako postare”, e cila mund të ndiqet në kohë reale nga qytetari dhe shteti.
“ Aty ku Lasgushi vjen me frymëzimet magjepsëse dhe aty ku u përpoqëm të mbledhim reflektimet e një periudhe pushimesh aktive. Kemi diskutuar për Besën, për Praninë Besnike, për ekosistemin e ri të komunikimit të qeverisë me qytetarin, edhe për Pasqyrën Unike “Pasqyrë Albania”, ku do të jenë të pranishme të gjitha institucionet.
Çdo kërkesë, shqetësim dhe hall i qytetarit të jetë si një pako postale që ndiqet në kohë reale nga dërguesi dhe shteti. Qeveria ndjek përgjegjësitë dhe çdo shkelje afati shihet me lupë.”


