Sondazh

Grushtat në protestë, a shënojnë fundin e saj?

Loading ... Loading ...
 

Zjarret në Shqipëri/ 32 vatra të raportuara, 6 mbeten aktive

schedule10:10 - 22 Gusht, 2026

schedule 10:10 - 22 Gusht, 2026

Tiranë – Ministria e Mbrojtjes ka bërë bilancin e situatës së zjarreve në vend gjatë 24 orëve të fundit. Sipas të dhënave zyrtare, janë raportuar gjithsej 32 vatra zjarri, prej të cilave 6 mbeten aktive, ndërsa 4 janë nën mbikëqyrje.

Në operacionet e zhvilluara gjatë ditës së djeshme janë angazhuar 726 forca operacionale dhe 44 automjete zjarrfikëse. Forcat e Armatosura kanë mbështetur ndërhyrjet me 270 efektivë, 5 automjete zjarrfikëse, 4 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor”.

Në Gojan–Gjegjan, Pukë, vijon operacioni i përforcuar, ku janë angazhuar 190 forca në terren. Operacioni mbështetet edhe nga mjete të rënda dhe dy helikopterë të Forcave të Armatosura.



Në Tenë, Mirditë, puna për shuarjen e vatrës vijon me angazhimin e Forcave të Armatosura, shërbimit pyjor dhe strukturave vendore. Aktualisht, sipas Ministrisë së Mbrojtjes, nuk ka rrezik për banesat.

Në Dukat, Vlorë, vatra vijon të jetë aktive, por me intensitet të ulët. Në terren janë 77 forca, ndërsa bëhet e ditur se banesat nuk rrezikohen.

Ndërkohë, në Malin e Dajtit, Tiranë, një pjesë e vatrave është izoluar plotësisht. Ndërhyrja vijon në vatrat e mbetura me 30 efektivë të Forcave të Armatosura dhe nuk raportohet rrezik për zonat e banuara.

Në Bërshi, Klos, pas vënies nën kontroll, disa vatra janë riaktivizuar gjatë natës për shkak të erës. Në operacion janë angazhuar 85 forca, përfshirë 30 efektivë të Forcave të Armatosura.

Në Shtuf, Mirditë, vatra mbetet aktive dhe ndërhyrja vijon në zonat ku terreni e mundëson. Pjesët e thepisura vijojnë të vështirësojnë përdorimin e mjeteve zjarrfikëse.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e situatës në të gjithë territorin, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e Mbrojtjes Civile. Kapacitetet operacionale mbeten në terren dhe në gatishmëri, me prioritet mbrojtjen e jetës, banesave dhe pasurisë së qytetarëve.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!