Sondazh

Grushtat në protestë, a shënojnë fundin e saj?

Loading ... Loading ...
 

Situata me zjarret/ 20 vatra në 24 orë në Shqipëri, 9 vijojnë aktive, 235 forca në terren

schedule09:31 - 21 Gusht, 2026

schedule 09:31 - 21 Gusht, 2026

Ministria e Mbrojtjes ka bërë bilancin e situatës së zjarreve në vend gjatë 24 orëve të fundit, duke raportuar 20 vatra zjarri. Prej tyre, 9 mbeten aktive, ndërsa një vatër është nën monitorim.

Në operacionet për përballimin e situatës janë angazhuar 235 forca operacionale dhe 33 automjete zjarrfikëse. Në mbështetje të tyre janë vendosur 140 efektivë të Forcave të Armatosura, 3 helikopterë dhe 2 avionë “Air Tractor”.

Një nga situatat më problematike paraqitet në Gojan–Gjegjan të Pukës, ku era e fortë dhe terreni i thyer vështirësojnë ndërhyrjen. Forcat në terren janë përqendruar në mbrojtjen e banesave, ndërsa është kryer edhe evakuimi i banorëve. Operacioni është mbështetur nga 40 efektivë dhe 3 helikopterë të Forcave të Armatosura.



Në Mal Milot të Kurbinit, zjarri vijon të jetë aktiv, por për momentin rreziku për banesat është eliminuar. Në terren ndodhen forca zjarrfikëse, ushtarake dhe bashkiake, ndërsa është kërkuar përforcim me trupa dhe mjete të Forcave të Armatosura.

Në Dajt të Tiranës është riaktivizuar një vatër zjarri, por aktualisht nuk ka rrezik për zonat e banuara. Në operacion janë angazhuar strukturat zjarrfikëse, AZM dhe Forcat e Armatosura, me mbështetjen e një helikopteri.

Në Dukat të Vlorës, zjarri në zonën e Shatës është zgjeruar gjatë natës në drejtim të malit. Në terren po punojnë forcat vendore dhe 40 efektivë të Forcave të Armatosura. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, aktualisht nuk ka rrezik për banesat.

Në Ballaxhiaj të Memaliajt, zjarri është nën kontroll dhe larg zonave të banuara. Në operacion janë angazhuar zjarrfikës, forca policie dhe vullnetarë, ndërsa disa banorë janë evakuuar si masë sigurie.

Vatra aktive raportohen gjithashtu në Kalivaç, Shtuf, Gjorm të Sipërm dhe Hotolisht. Ndërkohë, vatra në Lufaj të Mirditës është vënë nën kontroll dhe po monitorohet.

Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile vijon monitorimin e situatës në të gjithë territorin e vendit, në koordinim me prefekturat, bashkitë dhe strukturat e Mbrojtjes Civile.

Kapacitetet operacionale mbeten në terren dhe në gatishmëri për ndërhyrje, me prioritet mbrojtjen e jetës së qytetarëve, banesave dhe pasurisë së tyre.

Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!